Bjellorusia pretendon se ka parandaluar sulme me dronë nga Lituania

Evropë

Bjellorusia pretendon se ka parandaluar sulme me dronë nga Lituania

Më: 25 prill 2024 Në ora: 19:23
Foto ilustrim

Kreu i agjencisë më të lartë të sigurisë në Bjellorusi ka pretenduar se vendi i tij ka parandaluar sulme me dronë nga Lituania, që synonin kryeqytetin Minsk dhe zonat përreth.

Ushtria e Lituanisë dhe Qendra Kombëtare e Menaxhimit të Krizave kanë mohuar menjëherë pretendimin e Ivan Tertelit, kreut të Komitetit të Bjellorusisë për Sigurinë Shtetërore (KGB).

“KGB-ja, në bashkëpunim me kolegët e strukturave të tjera, ka vendosur së fundmi një sërë masash akute sigurie, të cilat bënë të mundur parandalimin e sulmeve me dronë luftarakë nga territori i Lituanisë drejt Minskut dhe rrethinës së tij”, ka thënë Tertel, në seancën e Asamblesë Popullore të Bjellorusisë.

Ai nuk ka paraqitur prova për pretendimin dhe as nuk ka dhënë ndonjë detaj. Ai ka pretenduar po ashtu se “radikalët” në Lituani dhe Poloni po prodhojnë dronë për të sulmuar Bjellorusinë, raporton “Associated Press”.

Deklarata e Tertelit ka shkaktuar reagime të autoriteteve në Lituani. “Kjo është e pakuptimtë, nuk mund të gjej fjalë tjetër”, u ka thënë gazetarëve të enjten, zëdhënësi ushtarak lituanez, Gintautas Ciunis.

“Deklarata të tilla nga KGB-ja mund të konsiderohen si provokim i vazhdueshëm armiqësor dhe sulm informativ kundër Lituanisë, të cilat nuk kanë të bëjnë fare me realitetin”, thuhet në një deklaratë nga Qendra e Menaxhimit të Krizave të Lituanisë.

Bjellorusia është aleat i ngushtë i Rusisë. Megjithëse forcat bjelloruse nuk kanë hyrë në luftën Rusi-Ukrainë, vendi ka qenë trampolinë për forcat ruse që hynë në veri të Ukrainës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat