Largimi i planifikuar, Merkel: Nuk do ta dëmtojë ndikimin tim global

Evropë

Largimi i planifikuar, Merkel: Nuk do ta dëmtojë ndikimin tim global

Më: 30 tetor 2018 Në ora: 16:51
Kancelarja gjermane, Angela Merkel

Kancelarja gjermane, Angela Merkel është shprehur këtë të martë se nuk pret që ndikimi i saj global të zvogëlohet, për shkak të largimit të planifikuar të saj nga politika në vitin 2021, e madje as tani që gara për ta pasuar atë sapo ka nisur.

Një ditë më parë, Merkel ishte shprehur se nuk do të garonte për t’u rizgjedhur në muajin dhjetor në krye të partisë së qendrës së djathtë CDU, por u kujdes të nënvizonte se planifikon ta përmbushë deri në fund mandatin e katërt si udhëheqëse e Gjermanisë.

Periudha e tranzicionit e përcaktuar nga Merkeli është gjithsesi e gjatë në politikë, aq sa edhe figurat më me peshë të CDU-së kanë shprehur publikisht dyshimet nëse ajo do të mundet ta mbajë pushtetin deri në fund të mandatit të saj.

Pavarësisht paqartësive, 64-vjeçarja Merkel këmbënguli se nuk do të pengohet në skenën botërore.

“Mendoj se asgjë nuk do të ndryshojë në pozicionin tim negociues sa u përket çështjeve ndërkombëtare”, tha udhëheqësja veterane gjermane. “Ndoshta dikush mund të thotë se, tani unë kam më shumë kohë për t’u përqëndruar në detyrat e mia si udhëheqëse e qeverisë”, shtoi më tej ajo, duke qenë se nuk do të jetë më kryetare partie (e CDU-së) nga muaji dhjetor e në vazhdim. Por, analistët në këtë pikë nuk janë të bindur.

Lueder Gerken, nga Qendra për Politikat Europiane (CEP) thotë se, pasi shpalli vendimin e saj, “kancelarja vështirë se do të mund të bindë botën se, ajo mundet të jetë garantuesja e një shkalle të caktuar stabiliteti në Bashkimin Europian”.

Vëzhgues të ndryshëm thonë gjithashtu se ajo nuk është më “mjeshtrja” e kalendarit politik të Gjermanisë.

“Nëse Merkeli do të mund të qeverisë realisht si Kancelare deri në vitin 2021 e më pas të largohet nga politika siç premtoi, apo nëse zhvillimet do të bëhen papritur të pakontrollueshme për të, kjo nuk është më vetëm në duart e saj”, analizon e përjavshmja gjermane “Der Spiegel”.

Wolfgang Schaeuble, kreu i Bundestagut dhe ish-ministër i Financave, theksoi se “ka ende 3 vite përpara që i kanë mbetur kësaj legjislature. Do të shohim nëse ky do të jetë rasti. Ndoshta, tani ajo nuk është më aq e fuqishme sa ka qenë në kulmin e suksesit të saj”, shtoi Schaeuble në një intervistë për transmetuesin publik “Deutsche Welle”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat