Itali, marshim kundër qeverisë dhe pro emigrantëve në Romë - Bota Sot
Itali, marshim kundër qeverisë dhe pro emigrantëve në Romë

Evropë

Itali, marshim kundër qeverisë dhe pro emigrantëve në Romë

Më: 11 nëntor 2018 Në ora: 14:58
Itali

Rreth 20 mijë vetë marshuan në Romë, duke protestuar kundër racizmit dhe qëndrimit të qeverisë italiane mbi emigracionin.

Ata argumentuan se, qeveria populiste italiane ka përhapur një frymë urrejtjeje, që kur erdhi në pushtet 5 muaj më parë.

Demonstruesit janë zemëruar nga një dekret i kontestuar për sigurinë, i kërkuar nga zv.kryeministri Matteo Salvini, shef i “Lega Nord”-it të ekstremit të djathtë, që ashpërson rregullat e emigracionit, kufizon të drejtën për azil dhe forcon rregullat antiterrorizëm dhe antimafie.

Ligji u kalua në dhomën e lartë të Parlamentit nga qeveria, e tani duhet të kalojë në dhomën e ulët për miratim.

Manifestimi i së shtunës u organizua, ndërkohë, nga grupet e majta antiracizëm dhe antifashiste. Familjet rome, që janë dëbuar së fundmi nga kampet e tyre, iu bashkuan studentëve, emigrantëve dhe refugjatëve, por edhe aktivistëve të të drejtave të njeriut nga e gjithë Italia.

Kryebashkiaku pro refugjatëve i Riaces, i pezulluar së fundmi, Domenico Lucano, ishte mes demonstruesve dhe denoncoi atë që ai e përshkroi si një frymë fashiste dhe raciste në Itali dhe Europë.

Me Lucanon si kryebashkiak, Riace pushtoi faqet e para të medieve, pasi u hapi dyert mijëra refugjatëve, i integroi ata në shoqëri dhe riktheu jetën në një qytezë rurale që po shuhej. Nën akuzat për favorizim të emigracionit të paligjshëm, kryebashkiaku i qytezës së vogël kalabreze u vendos nën arrest shtëpie në tetor.

Pavarësisht një gjykate, që më vonë revokoi vendimin, atij i ndalohet ende të jetojë në Riace.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...