Ferizaj shënoi 12 – vjetorin e Pavarësisë së Kosovës - Bota Sot
Ferizaj shënoi 12 – vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Ferizaj

Ferizaj shënoi 12 – vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Më: 17 shkurt 2020 Në ora: 15:14
Foto

Shumë qytetarë, drejtues të institucioneve të shtetit, deputetë të Kuvendit të Republikës, përfaqësues të jetës publike, politike në Ferizaj e më gjerë, të prirë nga Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu vizituan sot, Kompleksin Memorial të Varrezave të Dëshmorëve të Kombit të UÇK-së në Ferizaj, për homazhe e përkujtim të sakrificës heroike të Dëshmorëve të Kombit në 12 vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Dhjetëra karajfile mbi gurët e varreve ku pushojnë eshtrat e më të përndriturve të kombit, Dëshmorëve të Kombit, ishin gërshetimi i dhembjes e krenarisë që pllakosën qindra qytetarë në përkujtimin e sakrificës për liri.

I pari i Ferizajt, Agim Aliu tha se Kosova është kurorë heronjsh për amanetin e së cilëve, gjithsecili ia kemi borxh të ardhmen e saj.

“Bëmë 12 vjet. Pavarësinë e shtetin, nuk na i fali askush. E merituam, sakrifikuam, lam eshtrat e stërgjyshërve e u ndalën në mes mijëra jetë, mijëra thirrje fëmijësh, nënash e baballarësh. Kemi sot, Kosovën e pavarur -Republikë, – emrin më të shtrenjtë që mban në mendje e zemër secili shqiptar”, tha Aliu.

Me fjalë rasti të pranishmëve në emër të shoqatave të dalura nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Ferizaj iu drejtua Rafiz Sejdiu – Kryetar i OVL-së UÇK-së në Ferizaj.

Ai tha se sakrifica e heroizmi i djemve e vashave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bëri ëndrrën e pavarësisë e lirisë realitet, për çka brezat e ardhshëm kanë detyrimin ta forcojnë e zhvillojnë edhe më tutje, shtetin e Kosovës.

Me këngë e pjesë tjera artistike nga kori dhe orkestri i shkollës së muzikës “Çesk Zadeja”, u mbyll pjesa e Akademisë Solemne për 12 vjetorin e Pavarësisë, për të vijuar me aktivitete të tjera gjatë ditës të parapara me kalendarin e manifestimit kulturor për shënimin e 12 vjetorit të Pavarësisë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat