​Asfaltohet rreth 1 kilometër rrugë në Sojevë të Ferizajt

Ferizaj

​Asfaltohet rreth 1 kilometër rrugë në Sojevë të Ferizajt

Më: 17 gusht 2020 Në ora: 15:26
Pamje nga vendi i ngjarjes

Përveç dhjetëra projekteve të finalizuara në fshatrat e Ferizajt, e që kryesisht kishin të bënin me rregullimin e infrastrukturës rrugore, sot u finalizua edhe një projekt i rëndësisë së veçantë, ai i asfaltimit të rrugës “Mali” në Sojevë të Ferizajt.

Kjo rrugë me gjatësi rreth 1 kilometër, u asfaltua sot, në kuadër të projekteve të qeverisjes lokale për rivitalizimin e zonave të caktuara në hapësira rurale, projekt ky që i shton mundësitë për banorët e kësaj zone, duke i ofruar pikë së pari, lehtësi qarkullimi.

Për të ndjekur nga afër punimet në këtë projekt, doli i pari i Ferizajt, Agim Aliu bashkë me drejtorin e Urbanizmit dhe Mjedisit, Lulzim Aliu dhe drejtorin e Infrastrukturës, Arbër Bytyqi.

Ky i fundit tha se ky projekt por edhe projekti për rregullimin e ujësjellësit në fshatin Sojevë, e bëjnë këtë të fundit, një fshat me infrastrukturë modern dhe të kompletuar në pikëpamje infrastrukturore.

“Bëhet fjalë për një projekt modern i cili do të ndikoj në përmirësimin e infrastrukturës së fshatit Sojevë, pasi që është një rrugë që mund të shfrytëzohet edhe për tranzit. Bëhet fjalë për një rrugë me gjatësi rreth 800 metra dhe gjerësi rreth 5 metra. Besoj që kjo do të ndikoj në lehtësimin e qarkullimit të banorëve të fshatit Sojevë. Gjatë kësaj jave do të fillojmë me procedurat e tenderimit për ujësjellësin në fshatin Sojevë, një projekt i pritur gjatë nga banorët e fshatit poashtu edhe rrugicat tjera që kanë mbetur në këtë fshat, gjatë vitit të ardhshëm do të fillojmë me asfaltimin e tyre”, tha Bytyqi.

Ndryshe, me përfundimin e ujësjellësit dhe këtyre rrugicave, fshati Sojevë do të ketë të përfunduar infrastrukturën dhe do të jetë një fshat modern me infrastrukturë moderne.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat