Agim Aliu jep detaje për arrestimin e 12 personave, në mesin e tyre 8 zyrtarë komunalë

Ferizaj

Agim Aliu jep detaje për arrestimin e 12 personave, në mesin e tyre 8 zyrtarë komunalë

Më: 15 prill 2021 Në ora: 14:42
Konferenca per media

(E plotësuar 15:23) - Kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu ka deklaruar se arrestimi i 12 personave të dyshuar për ryshfet është bërë në bashkëpunim të plotë me institucionet lokale.

Duke e quajtur këtë dëshmi për luftën e pakompromisë kundër korrupsionit, i pari i Ferizajt tha se tetë prej tyre janë zyrtarë komunal.

Aliu: Kjo është dëshmia më e mirë se ne jemi të pakompromisë në luftën kundër korrupsionit

“Përpjekja më serioze deri më tash, e cila konsiderojmë është jo vetëm në nivelin lokal është kjo që ka ndodhur në aksionin e sotëm. Epilogun e këtij aksioni të përbashkët në koordinim të plotë të Komunës së Ferizajt dhe institucioneve të drejtësisë janë arrestuar dymbëdhjetë persona. Prej tyre tetë zyrtarë të komunës, pesë janë rojtar dhe tre janë teknik të pylltarisë. Kjo është dëshmia më e mirë se ne jemi të pakompromisë dhe lufta jonë do të jetë e pakompromisë ndaj cilitdo zyrtarë apo abuzues tjetër që ka të bëjë me interesin publik dhe pasurinë e shtetit”, tha ai.

Kryetari i Ferizajt përmes një konference të jashtëzakonshme për medie ftoi qytetarët që të bashkëpunojnë në luftimin e dukurive negative.

Aliu: Përderisa kemi një pushtet që lufton të keqën duhet ta mbrosh duke ndihmuar me informacione

“Ata kanë besuar në mirëqevërisje, sepse ata kanë besuar në një qeverisje me moral, nder dhe me përkushtim për interesin publik dhe një luftë të pakompromis ndaj dukurive të këqija. Duke qenë kështu, unë kam kërkuar nga qytetarët që ta mbrojnë këtë qeverisje. Mënyra ma e mirë për ta mbrojtur këtë qeverisje është bashkëpunimi me ne. Përderisa kemi një pushtet që lufton të keqën duhet ta mbrosh atë pushtet duke ndihmuar me informacione për ta mbrojtje këtë mirëqeverisje”, tha ai.

Ndërsa, drejtori i Bujqësisë dhe Pylltarisë Burim Bajrami tha se dëmet e shkaktuara nga personat e arrestuar janë të mëdha.

Bajrami: Ne çdo gjashtë muaj kemi bërë regjistrimin e dëmeve te secili roje

“Ne çdo gjashtë muaj kemi bërë regjistrimin e dëmeve te secili roje. Këtu dëme i kemi dërguar në prokurori dhe hetuese të komunës së Ferizajt dhe duke u bazuar në këto materiale ata i kanë zhvilluar gjitha masat”, tha ai.

Prokuroria Themelore në Ferizaj gjatë ditës bëri të ditur se ka arrestuar 12 persona në dyshimin e keqpërdorimit të pozitës zyrtare, marrje ryshfeti dhe dhënie ryshfeti.

***

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, ka dhënë detaje për arrestimin e 12 personave, për të cilët njoftoi sot Prokuroria Themelore e Ferizajt.

Aliu tha se ky është aksioni më serioz për ruajtjen e pyjeve dhe maleve të Komunës së Ferizajt.

“Në koordinim të Komunës së Ferizajt dhe insitucionet e rendit janë arrestuar 12 persona, prej tyre 8 janë zyrtarë të Komunës së Ferizajt, 5 janë rojtarë dhe 3 janë teknikë të pylltarisë. Kjo është dëshmia më e mirë që ne jemi të pakompromis dhe lufta do të jetë e pakompromis ndaj cilitdo zyrtar, ndaj pasurisë së shtetit”, tha Aliu në konferencë.

Ndryshe, Prokuroria Themelore e Ferizajt njoftou sot se në muajin tetor 2020, nga një sinjalizues i Institucionit të Komunës së Ferizajt, ka pranuar informacione se është duke u kryer vepra penale e “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 si dhe “Marrja e ryshfetit “ nga neni 421 dhe “Dhënia e Ryshfetit” nga neni 422, nga zyrtarët e Drejtorisë për Bujqësi dhe Pylltari në komunën e Ferizajt.

“Ndërsa, pas vlerësimit të këtij informacioni, Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, së bashku me Drejtorinë e Krimeve Ekonomike në Prishtinë dhe Njësinë e Krimeve Ekonomike në Ferizaj, Prokuroria ka konsideruar se duhet te aplikohen masat e fshehta teknike të vëzhgimit dhe hetimit.

Ndersa, pas aplikimit të këtyre masave disa mujore, sot më 15 Prill 2020, janë arrestuar 12 persona të dyshuar, në mesin e tyre katër (4) teknik të pylltarisë, katër (4) rojtar të pyjeve si dhe katër (4) qytetar nga komuna e Ferizajt, ndaj të cilëve i’u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, brenda afatit ligjor, ndaj të njëjtëve, do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Kompetente në Ferizaj”, është thënë në njoftimin e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat