​Edhe në Ferizaj u festua por qytetarët u shprehën të shqetësuar me ikjen e të rinjve

Ferizaj

​Edhe në Ferizaj u festua por qytetarët u shprehën të shqetësuar me ikjen e të rinjve

Më: 17 shkurt 2023 Në ora: 14:53
Ferizaj

Edhe në Komunën e Ferizaj, në 15 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, atmosfera vazhdon të jetë festive. Mirëpo qytetarët shprehen të shqetësuar me ikjen e të rinjve, pasi sipas tyre sheshi nuk po duket mirë pa rininë, derisa kërkojnë nga institucionet më shumë punë dhe migrim më të ulët.

Qytetari, Xheli Rama shprehet i lumtur, pasi Kosova ka arritur të jetë e lirë, porse sipas tij atmosfera duket pak më e zbehtë pa rininë që kanë migruar.

"Atmosfera mirë, por jo edhe shumë mirë, rina kanë shku shumë jashtë Kosovës...Gjërat kanë ndryshuar shumë, por mundet edhe më mirë, por fati ynë është që jemi të lirë prej armikut, dhe jemi të lirë të punojmë e të shkollohem", tha Rama.

Edhe qytetari, Xhemail Avdiu është shprehur i lumtur për lirinë që po gëzon vendi, mirëpo kërkon më shumë punë nga institucionet.

"Po ndihem i lumtur si çdo shqiptar tjetër. Atmosfera është shumë e hareshme dhe e festofshim gjithmonë. Por, kemi prit më shumë punë, pavarësisht se është bërë dhe shpresojmë të bëhet më shumë në të ardhshëm", tha Avdiu.

Qytetarja, Nurane Azemi është shprehur krenare me të arriturat që kanë ndodhur në vend.

"Po ndihem shumë krenare, po e ndjej vetëm shumë mirë. 15 vjetori është punë e madhe...Normal që çdokush shpreson për më të mirën por besoj që kemi me pas më mirë në të ardhmen", Azemi.

Qytetari, Shpëtim Vila shpreson që shumë shpejtë edhe Kosova të jetë pjesë e BE-së.

"Nuk mundemi me thanë se është punuar mjaftueshëm por shpresoj se do të arrijmë ku kemi dëshirë, të hymë në Evropë dhe të zhvillohet vendi, ekonomia. Rinia mos të largohet prej këtu sepse nuk ka rini shumë", tha Vila.

Qytetarja, Sebahate Avdyli shprehet e lumtur në këtë ditë feste, por kërkon nga institucionet të bëjnë më shumë punë për popullin.

"Në këtë ditë po ndihem shumë mirë. Edhe pse si e re kam bërë një sakrificë pasi në 83-të isha në demostratë përkrah me dajën dhe kundër kësaj kemi arrit mirë...Po ashtu presim punë edhe me shumë prej institucioneve, sepse nuk bënë të shikohet vetëm karrige, por të shikojnë edhe popullin", ka thënë ajo.

Komuna e Ferizaj ka shënuar Ditën e Pavarsisë me aktivitete të ndryshme, duke filluar me homazhe në varrezat e dëshmorëve në ora 10:00, me pas me akademi solemne dhe koncert festiv në ora 11:00 dhe Galeria e Arteve dhe SHAD "Zef Kolombi" do të hapin ekspozitë kolektive në ora 18:00.

Ndërkaq, drejtoresha e Kulturës së kësaj komune, Xhemile Murati Shabani tha për KosovaPress se si institucione e kanë për obligim të ofrojnë aktivitete për qytetarët në këtë ditë feste. Derisa tha se kanë filluar me homazhe për t'i nderuar të rënët për liri.

"Ne si institucione komunale por edhe organizimi i të gjitha niveleve për këtë festë të pavarësisë, e kemi obligim si institucione, jo vetëm për ofrimin e aktiviteteve të ndryshme kulturore për qytetarët tanë, por ne duhet që vazhdueshëm si institucionet të punojmë që të ndërtojmë një të ardhme më të ndritur për të rinjtë tanë të cilët duhet të qëndrojnë me dashni në vendin e tyre. Jemi munduar që përmes aktiviteteve kulturore t'i ofrojmë më të mirat për qytetarët. Kanë rrjedhur shumë aktivitete dhe padyshim se të parat kanë filluar me homazhe te varrezat e dëshmoreve, sepse lavdi dhe krenaria ju takon atyre të cilët kanë rënë për të mos vdekur kurrë dhe e kanë sjellur këtë ditë që po jetojmë të lirë", tha Shabani.

Ajo tha se nuk kanë pasur mbështetje nga niveli qendror për organizimin e aktiviteteve, porse shpreson që në të ardhmen të jetë një koordinim më i mirë mes dy niveleve.

"Nuk kemi pasur mbështetje nga niveli qendror, është duke i përgatitur aktivitetet dhe agjendat e tyre, ndërsa ne si nivel lokal jemi munduar që të ofrojmë më të mirën për qytetarët tanë dhe shpresoj me një koordinim mes nivelit qendror dhe lokal në të ardhmen të kemi përkrahje edhe nga institucionet e nivelit qendror", shtoi Shabani.

Për shënimin e 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës Qeveria e Kosovës ka organizuar një sërë aktivitetesh. Pas mbledhjes festive të Qeverisë është bërë ngritja solemne e Flamurit të Republikës së Kosovës, homazhe tek Monumenti i të Pagjeturve, homazhe tek varri i ish-presidentit, Ibrahim Rugova, homazhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi, e homazhe tek Kompleksi memorial "Adem Jashari".

Po ashtu për nder të 15-vjetorit të Pavarësisë në sheshet e Prishtinës kanë parakaluar trupat e Forcës të Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës.

E në orën 17:00 presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka organizuar pritje shtetërore.

Kujtojmë se me 17 shkurt të vitit 2008 në orën 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës është shpall pavarësia e Kosovës.

Shpallja e pavarësisë ishte bërë nga kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat