Pacientja ankohet se e bën “sallatë” në spitalin e Ferizajit

Ferizaj

Pacientja ankohet se e bën “sallatë” në spitalin e Ferizajit

Më: 21 qershor 2023 Në ora: 19:12
Spitali në Ferizaj

Një paciente nga Ferizaj ankohet se nuk e mori trajtimin e duhur dhe se u përballë me probleme të shumta gjatë lindjes së fëmijës së tretë. Për shkak të përkeqësimit të gjendjes, ajo u detyrua të dërgohet në QKUK. Nga Spitali i Ferizajt mohojnë këto akuza, derisa nga QKUK thonë se aktualisht gjendja e pacientes dhe e foshnjës është stabile.

Lindja e fëmijës së tretë për Minavere Hetemin nga Komuna e Ferizajt nuk ishte e lehtë.

Kjo për shkak se familjarët e saj pretendojnë se trajtimi në spitalin e Ferizajt nuk shkoi mirë.

Motra e saj, në një rrëfim për Kanal10 thotë se ajo u detyrua dy herë t’i nënshtrohet operimeve në Ferizaj, por që sipas saj, gjendja veçse i keqësohej. 

Ajo thotë se më pas u detyrua që të dërgohet në QKUK në gjendje të rënduar shëndetësore.

Mirëpo, nga spitali i Ferizajt, mohuan një gjë të tillë.

Ata thanë se brenda spitalit rajonal u kryen të gjitha intervenimet e nevojshme, por për shkak të përkeqësimit të gjendjes, pacientja u dërgua për në QKUK.

Pacientja që nga e shtuna po qëndron në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Nga QKUK, thonë se kjo e fundit erdhi në gjendje të përkeqësuar shëndetësore, derisa tash i është stabilizuar.

“Pacientja M.H. ka ardh me autoambulancë nga spitali regjional i Ferizajt me dt.17 06 2023 në gjendje të përkeqësuar pas operacionit të cilin e ka kryer 13 orë më herët në spitalin e Ferizajt . Ka kryer lindjen me prerje Cesariane. Pas ardhjes, është trajtuar menjëherë nga ekipi kujdestar, janë detyruar të hyjnë prapë në sallë të intervenojnë për shkak të disa komplikimeve post-operative hematomeve (gjakosjeve të brendshme ) të cilat edhe mund të ndodhin si komplikime në këto operacione . Pas intervenimit problemet janë sanuar dhe gjendja e pacientes është përmirësuar. Tash gjendja e pacientes është stabile dhe nën përcjellje nga stafi mjekësor. Për disa ditë pritet edhe të bëhet lëshimi në shtëpi, thanë nga QKUK-ja.

Në shumë raste, për shkak të komplikimeve, spitalet rajonale në gjithë Kosovën, detyrohen që pacientët t’i dërgojnë për në QKUK.

Spitali i Ferizajt tash e disa vite ka filluar të ndërtohet por që ende nuk është përfunduar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat