Vazhdojnë akuzat për Muharrem Sfarqën se po rehaton stafin e tij

Ferizaj

Vazhdojnë akuzat për Muharrem Sfarqën se po rehaton stafin e tij

Më: 20 maj 2017 Në ora: 13:19
Komuna e Ferizajt

Konkursi i hapur pwr zyrtarë për përkthim shqip-serbisht dhe anasjelltas, nga Komuna e Ferizajt, po konsiderohet se është përgatitur për këshilltarin e kryetarit të Komunës, Muharrem Sfaqa.

Rrjeti i OJQ-ve “AVONET”, thotë se kjo pozitë është përgatitur për këshilltarin e kryetari të komunës, Musli Berisha, i cili tashmë ka aplikuar për këtë pozitë.

Kenan Gashi, drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare AVONET, tha se si organizatë kanë shprehur shqetësimin e tyre rreth praktikave të punësimit që ndodhin në Komunën e Ferizajt. Ai tha se sipas burimeve të tyre konkursi i hapur është përgatitur për këshilltarin e kryetarit Sfarqa.

Gashi: Është bërë një traditë duke punësuar në mënyrë klienteliste

“Wshtë bërë një traditë duke punësuar në mënyrë klienteliste, në mënyrë militantizmi dhe familjare në këtë institucion dhe ne kemi shprehë shqetësimin që tashmë kryetari i komunës me 18.04.2017 vetëm ka hap një konkurs me titull të punës zyrtar për përkthim në shqip-serbisht dhe anasjelltas. Këtë sipas burimeve të AVONET-it është për këshilltarin e tij, Musli Berisha, që natyrisht është një prej shqetësimeve sepse këtu drejtpërsëdrejti etiketohet forma e nepotizmit duke përgatitur konkurs dhe duke u dhënë mundësinë në mënyrë direkte që të punësohet një njeri i njohur për publikun dhe natyrisht edhe kjo është e sanksionuar edhe me ligjet e Republikës së Kosovës. Kjo duhet të trajtohet si temë, si dukuri dhe si një prej fenomeneve më të këqija të këtij institucioni”, tha ai.

Sipas tij, kjo është një praktikë e cila vazhdon tash e këto vite të qeverisjes së kryetarit, Muharrem Sfarqa.

Gashi: Është një praktikë që vazhdon gjatë këtyre viteve

“Është një praktikë që vazhdon të ndodh gjatë këtyre viteve nga ky kryetar dhe natyrisht duke instaluar një formë të tillë, duke rritur mundësinë e militantizmit dhe natyrisht edhe duke krijuar forma vetëm për ata që e mbështesin dhe e përkrahin një ideologji që ka kryetari Sfarqa”, tha ai.

Por që kryetari i Komunës së Ferizajt, Muahrrem Sfarqa, thotë se të gjitha procedurat e punësimit janë çështje të komisioneve për punësime.

Sfarqa: Të gjitha procedurat për punësime janë çështje të komisioneve

“Të gjitha procedurat për punësime janë çështje të komisioneve për punësime të kompanive të cilët merren më këtë çështje. Sistemi demokratik natyrisht që krijon mundësi edhe të mendimit kundër edhe të atyre që shprehën shqetësime të tjera. Unë i vlerësoj dhe i respektoj kam një bashkëpunim të shkëlqyer me secilën organizatë qeveritare dhe të gjithë ata që dëshirojnë të bashkëpunojnë për interesin e komunës. Ndërkaq çështjet tjera që kërkojnë identifikimin e personaliteteve të caktuara që krijojnë identitete të tjera brenda këtij sistemi unë i respektoj është në çështjen e tyre”, tha ai.

Ndërsa, sa i përket asaj që konkursi i hapur është përgatitur për këshilltarin e tij, ai tha se nuk e dinë se kush do të punësohet, pasi që të gjitha procedurat bëhen në bazë të procedurës ligjore.

Sfarqa: Unë nuk e di kush ka me u punësua

“Unë nuk e di kush ka me u punësua nëse ata e dinë është çështje e tyre. Të gjitha punësimet bëhen në bazë të procedurës dhe askund nuk shkruan askush që ka të drejtë dikujt të ja mohoj konkurrencën në konkurs. As nuk ka të drejtë kryetari i komunës as një organizatë qeveritare dhe asnjë institucion tjetër. Ai që i plotëson kushtet e ka të drejtën legjitime me konkurrua”, tha ai.

Drejtoresha ekzekutive e organizatës INPO, Albulena Nrecaj, në përgjigjet përmes emailit i ka thënë Kp se në bazë të monitorimit që i kanë bërë Komunës së Ferizajt në proceset e rekrutimit të stafit kanë gjetur se nuk respektohen parimet ligjore.

“Në bazë të monitorimit të INPO-s rreth proceseve të rekrutimit të stafit në administratën komunale, kemi gjetur se komuna nuk respekton parimet ligjore të rekrutimit të shërbyesve civil, të cilat bazohen në parimet e barabarësisë, transparencës dhe përgatitjes profesionale. Madje, komuna e Ferizajt, është kritikuar në vazhdimësi nga qytetarët dhe mediat për punësime jo-ligjore dhe nepotiste”, thuhet në përgjigjet e INPO.

Komuna e Ferizajt edhe më herët ishte akuzuar për hapje të konkurseve ku vetëm kanë qenë persona duke punuar në komunë.

“Rasti më i freskët të cilin INPO e ka monitoruar është konkurs për pranimin e punonjësve për kryerjen e shërbimeve të veçanta për së paku pesë (5) pozita në kundërshtim me ligjin për Shërbimin Civil të Kosovës dhe akteve tjera nënligjore. Sipas Ligjit pozitat e shpalluara në këtë konkurs konsiderohen të rregullta brenda shërbimit civil dhe skemës organizative të departamenteve komunale, që kryejnë punë administrative dhe në asnjë rrethanë nuk mund të ofrojnë shërbime të veçanta përmes angazhimit së tyre. INPO kishte gjetur se personat e punësuar përmes këtij konkursi, kanë qenë persona të cilët vetëm kanë qenë duke punuar në komunë, por me këtë konkurs iu është “legjitimuar” marrëdhënia e punës. Madje, për këtë konkurs komuna nuk ka publikuar listën e përfituesve të vendeve të punës”, thuhet në përgjigje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat