Seria italiane që lufton racizmin

Filma

Seria italiane që lufton racizmin

Më: 7 maj 2021 Në ora: 15:10
Seria “Zero”

Seria “Zero” e platformës “Netflix” që pati premierën gjatë muajit prill, është prodhimi i parë televiziv italian që në ekip ka njerëz me ngjyrë, një pikë e mirë në peizazhin e zymtë të televizionit italian, ku përdorimi i vazhdueshëm i gjuhës dhe i imazheve raciste po ndez protesta të reja.

Përderisa “Zero” është diçka e re në historinë televizive italiane, ekipet e komedisë po e shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të përdorur sharje raciste dhe për të bërë gjeste me sy si satirë.

Transmetuesi kryesor shtetëror RAI është kritikuar për përpjekjet për të censuruar vërejtjet e një reperi italian, që kishte theksuar homofobinë në një parti politike të krahut të djathtë. Dhe nën presionin nga jashtë, RAI është kundër - por jo ndalimit të plotë - përdorimit të fytyrave me ngjyrë në komedi.

Gjersa janë ndezur tensionet kulturore , protagonistët e "Zero" shpresojnë që seria - e cila përqendrohet në brezin e dytë të italianëve me ngjyrë dhe bazohet në një roman nga djali i emigrantëve angolezë - do të ndihmojë në përshpejtimin e pranimit të publikut se Italia është shndërruar në vend shumëkulturor.

“Gjithmonë them se Italia është vend që është i lidhur me traditën dhe është më raciste”, ka thënë Antonio Dikele Distefano, që ka qenë njëri nga skenaristët e serisë, gjashtë romanet e të cilit, përfshirë edhe njëri në të cilin është bazuar “Zero”, përqendrohen në jetët e emigrantëve në Itali.

“Jam i bindur se nëpërmjet këtyre gjërave, si shkrimi i romaneve, mundësia për të bërë seriale, gjërat mund të ndryshojnë”, ka thënë ai.

"Zero" është arritje radikale, sepse ofron modele për të rinjtë italianë me ngjyrë që nuk e kanë parë veten të reflektuar në kulturë dhe krijon një dritare për ndryshimet në shoqërinë italiane, ku shumica e popullsisë nuk i ka pranuar.

Aktivistët që e luftojnë racizmin në televizionin italian nënvizojnë faktin se ai u krijua nga “Netflix”, me qendër në Shtetet e Bashkuara dhe me një investim prej 100 milionë dollarësh për ta përmirësuar diversitetin, dhe jo nga ndonjë televizion italian publik ose privat.

“Si një italiane me ngjyrë, kurrë nuk e kam parë veten të përfaqësuar në televizionin italian. Ose kam parë shembuj se si gratë me ngjyrë janë seksualizuar”, ka thënë Sara Lemlem, aktiviste dhe gazetare, që ishte pjesë e një grupi të brezit të dytë të italianëve, që ka protestuar kundër racizmit në televizionin italian.

“Zero,” që e pati premierën më 21 prill, ka arritur të bëhet menjëherë një ndër 10 seritë më të shikuara në “Netflix” në Itali.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat