Rekordi i McLaren në rrezik

Formula 1

Rekordi i McLaren në rrezik

Më: 5 korrik 2023 Në ora: 21:27
Christian Horner

Red Bull dominoi fundjavën edhe në Austri aty ku Max Verstappen përveç garës, fitoi edhe garën e dytë Sprint të sezonit.

Rivalët si Ferrari e Mercedes duket se e kanë të pamundur t’i afrohen dhe këtë e vërteton fakti se këtë sezon, RedBull ka fituar në të nënta garat e zhvilluara. Shtatë janë fituar nga Verstappen dhe dy nga Sergio Perez.

Në total janë dhjetë fitoret radhazi të skuderisë austriake nëse marrim në konsideratë edhe garën e fundit në sezonin e kaluar teksa në shënjestër është rekordi i vendosur nga McLaren në vitin e largët 1988.

Në atë periudhë, skuderia britanike ia doli të koleksiononte 11 fitore radhazi të ndara mes Ayrton Sennas dhe Alain Prost. Por, te RedBull duket se kanë ndërmend një tjetër rekord edhe më të komplikuar, atë për të fituar të gjitha garat e sezonit.

Drejtori, Christian Horner u shpreh se ideja se mund të “thyejnë” këtë rekord e bën të “çmendet”.

“E pranoj se i kemi mundësitë për të fituar të gjitha garat në këtë sezon. Por, ne mendojmë garë pas gare, i marrim me radhë ato.

A do t’ia dalim? Ndoshta!

Në Silverstone pres një tjetër fundjavë fantastike, edhe pse disa pengesa me siguri që do t’i kemi. Nuk fitojmë në Britani prej vitit 2012, atëherë kur e bënte Webber.

Për ne do të jetë një garë shumë e rëndësishme dhe që do ta vlerësojmë jashtëzakonisht”, u shpreh Horner.

Kujtojmë se edhe rekordin për garat e fituara brenda një sezoni e mban po McLaren në vitin 1988 që nga 16 gara të mundshme fitoi 15, aq sa i mjaftuan Ayrton Sennas për t’u shpallur kampion. Deri në fundin e Botërorit aktual kanë mbetur për t’u zhvilluar edhe 12 gara në total.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat