A është Verstappen më i mirë se Hamilton dhe Alonso?

Formula 1

A është Verstappen më i mirë se Hamilton dhe Alonso?

Më: 18 korrik 2023 Në ora: 11:51
Verstappen

Jaime Alguersuari, ish-piloti i RedBull nga viti 2009 deri në vitin 2011 foli në lidhje me dominimin e skuderisë austriake në këto vitet e fundit dhe mbi pilotin e tyre kryesor, Max Verstappen.

33-vjeçari që tashmë ushtron profesionin e DJ, u shpreh se te Red Bull është detyrim të fitosh ndërsa sa i takon pilotit holandez shtoi se ai është si një robot. Më tej, spanjolli nënvizoi se ylli i vërtetë është Adrian Newey, shefi teknik i austriakëve.

“Ashtu si në të kaluarën kur dominonin Schumacher, Vettel dhe Hamilton, tani është koha e Verstappen.

Në botën e Formula 1 diçka e tillë është e pashmangshme sepse shpeshherë makina më e mirë, ka edhe pilotin më të mirë.

Por, më lejoni të them se ylli i vërtetë te RedBull është Adrian Newey. Është e pabesueshme se si ai zotëri vijon të prodhojë makinën më të mirë. Për mua RedBulli është skuderia më e mirë në historinë e Formula 1 sepse nuk bëjnë asnjë gabim, gjithçka shkon në rregull. Strategjitë, ndryshimet, mekanikët e RedBullit janë më të mirët. Të kesh një ekip fitues është shumë e rëndësishme, nuk mjafton vetëm makina.

A është Verstappen më i mirë se Hamilton dhe Alonso? Është e vështirë ta thuash, e përmenda pak më lart, makina më e mirë shpesh i shkon pilotit më të mirë dhe pastaj gjithçka shkon perfekt. Për Verstappen në këtë moment është shumë e lehtë.

Të gjithë ne që kemi kaluar te RedBull kemi mësuar se duhet të fitojmë me patjetër. Ose fiton ose “vdes”. Kjo është shkolla e RedBullit, është çështje mbijetese. Pastaj Verstappen ka edhe babain që e “detyron” të fitojë. Verstappen është bërë si një robot, nuk ndjen kënaqësi. Është gjithnjë në limitet e një piloti perfekt, por kështu e kanë “gatuar”.

Unë e di mirë, babai nuk e këshillonte Verstappen kur ishte fëmijë nuk fitonte në garat e Go-Cart. Ai ushtronte dhunë, diçka e tillë nuk ndodh në ditët e sotme. Nuk do të veproja kurrë në këtë formë me djalin tim, por për ata kjo mënyrë ka funksionuar. Max është rritur me disiplinë dhe te RedBull e duan shumë këtë”, u shpreh Jaime Alguersuari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat