Verstappen fiton edhe në Hungari

Formula 1

Verstappen fiton edhe në Hungari

Më: 23 korrik 2023 Në ora: 16:57
Max Verstappen me makinën e tij

Piloti holandez i Red Bull, Max Verstappen, fitoi sot garën e Çmimit të Madh të Hungarisë në Formula 1, garë e zhvilluar në pistën e Hungaroring (suksesi nr.44 në karrierë). Ky është suksesi i shtatë radhazi për kampionin e botës, i nënti këtë sezon, që konsolidon edhe më shumë pozitat në krye të renditjes.

Verstappen e dominoi garën, mori kryesimin e saj që pas kthesës së parë dhe e mbylli atë 32 sekonda më shpejt se vendi i dytë, Lando Norris me McLaren.

Në podium u ngjit edhe meksikani Sergio Perez me makinën tjetër Red Bull, duke konfirmuar momentin e mirë të kësaj skuadre.

Edhe McLaren po kalon një moment pozitiv, teksa përveç Norris edhe Piastri u paraqit mirë, duke u klasifikuar në vendin e pestë.

Në vendin e katërt u rendit britaniku i Mercedes, Lewis Hamilton, që edhe pse e nisi garën nga “pole” nuk arriti të rivalizojë për fitoren apo për një vend në podium.

Vijon të zhgënjejë Ferrari, në vështirësi në këtë garë, duke u renditur në vendet 7-8 me dy pilotët e saj, pas Russell (i gjashti), që përfitoi nga penaliteti i Leclerc (5 sekonda). Leclerc doli para shokut të tij të skuadrës Sainz, por “kokëkuqja” nuk ishte asnjëherë në gjendje të duelonte për podiumin. Në zonën e pikëve edhe Alonso e Stroll (Aston Martin).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat