E-sport vazhdoi me garën spektakolare GT3 në Monza

Formula 1

E-sport vazhdoi me garën spektakolare GT3 në Monza

Më: 5 shtator 2023 Në ora: 23:48
Pamje nga një garë

Në fundjavën që shkoi, në hapësirat e qendrës së simulatorëve Sim Race Kosova nën organizimin e KMDK dhe patronatin e FASK u mbajt gara e katërt me radhë, që rezultoi si gara më interesante deri më tani.

Gara u zhvillua në platformën e lojës “Assetto Corsa Competizione" që është një video lojë simuluese garash shumë e popullorizuar dhe e zhvilluar nga Kunos Simulazioni. Loja fokusohet në klasën GT3 të garave dhe përmban shtigje të ndryshme të botës reale, duke përfshirë shtegun ikonik të Monzas (i njohur gjithashtu si Autodromo Nazionale Monza).

Në video lojë, Monza është rikrijuar me besnikëri, duke i mundësuar garuesve të përjetojnë shtegun ikonik të garës nga komoditeti i simulatorëve.

Pas sesionit të kualifikimit në vijën e startit i pari doli Drilon Ahmetaj me kohën më të mirë (01:47:400) me veturën McLaren i pasuar nga Genc Macula me Lamborghini dhe më pas Eron Haliti me Ferrari që janë edhe tre pretendentët dhe kryesuesit e tabëlës së këtij kampionati.

Para fillimit të garës, zakonisht formacioni i startit në klasën GT3 është formacion fluturues ku vozitësit qarkullojnë pistën për të ngrohur gomat e tyre dhe për t'u përgatitur për startin fluturues të garës.

Këtij kampionati gjithashtu iu bashkangjitën edhe dy garues të rinj Egzon Musliu (duke filluar nga Barcelona) dhe Loren Jupolli që për herë të parë u inkuadrua në shtegun e Monzës që gjithashtu treguan një vozitje solide.

Përkundër disa incidenteve të vogla konkurrenca dhe gara ishte e një niveli të lakmueshëm që dëshmon edhe rritjen e cilësisë se garimit.

Rivaliteti në mes tre kryesuesve të lartëcekur të tabelës u dëshmua edhe në këtë garë e që po e bën edhe më interesante dhe më të paparashikueshme se kush do ta kryesojë kampionatin deri në përfundimin e saj.

Gjithashtu, duele interesante pati edhe në mes të garuesve në rendet e pasme ndërmjet Tytynxhiut, Gjikollit dhe Karabegut.

Gara zgjati plotë 60 minuta dhe përfundoi me një fitore bindëse të Drilon Ahmetajt i pasuar nga Eron Haliti (i cili pati edhe kohën më të mirë për gjiro të kësaj gare) dhe i treti kësaj here përfundoi Genc Macula i cili gjithsesi ishte garuesi më i mirë i kësaj gare për shkak se nga incidenti që pati me Baran Karabegun arriti që nga vendi i dhjetë të përfundojë i treti.

Vendi i katërt i takoi Endrit Tytynxhiut i cili cilësi të lartë përkundër dëmeve që kishte pësuar gjatë garës i pasuar nga Visar Gjikolli, Baran Karabeg, Loren Jupolli, ndërsa garën nuk arritën ta përfundojnë Jeton Pllana dhe Egzon Musliu.

Tabelën vazhdon ta kryesojë Genc Macula me 82 pikë, i pasuar nga Eron Haliti me 72 pikë, Drilon Ahmetaj me 70 pikë.

Gara e radhës sipas kalendarit do të mbahet me 17.09. në pistën e Nurburgring ku pritet një rivalitet akoma më i madh dhe ndryshime në renditjen tabelare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat