E premte, 26 prill 2024
  • Bunkeri që shpëtoi çiftin në Australi

    Ishte pak para mesnatës të së hënës kur 68-vjeçari Donald Graham dhe bashkëshortja e tij, Bronwyn, shpëtuan nga zjarri që kaploi shtëpinë e tyre në Australi.

    Për pak minuta ia dolën që të shkonin në bunkerin afër shtëpisë dhe nga një vrimë në mur shikuan teksa flaka ua bëri shkrumb e hi shtëpinë.

    Në bazë të matësit të temperaturës që e kishin instaluar në bunker, temperatura jashtë tij arriti në 70 gradë, raporton Reuters.

    “Pasi zjarri krijon tym dhe monoksid karboni, i mbyllëm dy ventilimet dhe e shikuam orën. E dinim se për një orë do të kishte oksigjen të mjaftueshëm për gjashtë persona”, ka thënë Grahami teksa qëndroi në bunker.

    Teksa zjarri jashtë bënte shkrumb çdo gjë, çifti vlerësoi se qëndroi në bunker për 20 minuta.

    Kur përfundoi më e keqja, çifti lëshoi sistemin e ajrosjes.

    Grahami planifikoi që afër shtëpisë të vendoste një bunker. Shkas u bënë paralajmërimet se rajoni i tyre me shumë mundësi do të përfshihej nga zjarri.

    “Bunkerin nuk e kam bërë vetë. Atë mund ta blini. Krejt çka duhet të bëni është të hapni një gropë dhe pastaj ta mbuloni me dhe”, ka thënë Grahami.

    Gjatë kësaj vere, zjarri në Australi dogji 12 milionë hektarë tokë, shkatërroi 2 mijë e 500 shtëpi dhe vrau 33 persona.

1 / 5