Të gjithë në këmbë, Kosova do fitore kundër Bullgarisë 

Futboll

Të gjithë në këmbë, Kosova do fitore kundër Bullgarisë 

Nga: K. G. Më: 24 mars 2019 Në ora: 17:57
Pamje nga konferenca

Mobilizim i madh dhe vetëm për fitore kundër Bullgarisë! Kombëtarja e Kosovës është e mobilizuar deri në pikën e fundit, kërkojnë pikët e para në kuadër të grupit A të kualifikueseve për Kampionatin Evropian 2020 në futboll.  Të gjitha rrugët çojnë nesër për në Prishtinë, në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku Kosova e pret Bullgarinë. Kosova vjen pas një serie të mirë të rezultateve dhe barazimit të fundit me rezultat 2:2 në miqësore kundër Danimarkës së fortë, kurse Bullgaria në ndeshjen eliminatore barazoi 1:1 me Malin e Zi.

Djelmoshat tanë janë të mobilizuar në çdo aspekt dhe nesër (20.45) kërkojnë pikë, që t’i gëzojnë tifozët “Dardanët” dhe gjithë popullin shqiptar. I madh dhe i vogël kanë fokusin nga ndeshja Kosova-Bullgaria. Sfidë që pritet me drithërime, por djelmoshat e përzgjedhësit Bernard Challandes zotohen për rezultat të favorshëm ose siç thuhet në zhargonin sportiv: O jetë o vdekje. Challandes tha se është i kënaqur me lojën që Kosova e bëri kundër Danimarkës, por se takimi me Bullgarinë do të jetë krejtësisht ndryshe.

“Kemi luajtur lojë të mirë kundër Danimarkës, jam i kënaqur me ekipin, por tani është një tregim tjetër, është fillimi i një gare të re, që do të thotë kualifikuese për Euro 2020, dhe do të jetë ndeshje shumë e vështirë”, tha Challandes. Përzgjedhësi i Kosovës është me këmbë në tokë dhe e ka të qartë se sa vështirë do të jetë në duel me bullgarët.

“Do të jetë ndeshje tjetër, por nuk e di nëse do të jetë e mirë për shikuesit, ishte ndeshje përgatitore kundër Danimarkës, këtu luajmë për kualifikimin, të gjithë luajnë për pikë, që do të thotë se do të luftojmë për çdo top. Bullgaria është ekip i fortë, fizik dhe me përvojë, me lojtarë që kanë shumë eksperiencë në ndeshje ndërkombëtare, kështu që duhet të jemi menjëherë garues dhe të luftojmë për secilin top”, ka thënë Challandes.

Futbollisti Hekuran Kryeziu nuk u aktivizua në ndeshjen miqësore kundër Danimarkës, për shkak të lëndimit, por shpreson se do të paraqitet në ndeshjen e madhe.

“Kam stërvitur me skuadrës, nëse gjithçka shkon mirë, besoj se do të jem gati për ndeshje", tha Kryeziu. Mesfushori shprehet se beson në kombëtaren e tij: "Bullgaria nuk ka pësuar shumë gola në ndeshjet e fundit. Besoj në skuadrën tonë dhe besoj në rezultat pozitiv". Me një fjalë, të gjithë janë në këmbë dhe Kosova kërkon fitore kundër Bullgarisë, që ta nisë misionin e saj në mënyrën më të mirë të mundshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat