Shaqiri s’pritet të jetë titullar as në ndeshjen kundër Tottenhamit

Futboll

Shaqiri s’pritet të jetë titullar as në ndeshjen kundër Tottenhamit

Më: 29 mars 2019 Në ora: 14:04
Xherdan Shaqiri

Përkundër që Jurgen Klopp tha se Xherdan Shaqiri mund të jetë gati për të luajtur në ndeshjen e fundjavës, futbollisti nuk pritet të jetë titullar as këtë herë.

Xherdan Shaqiri nuk mori pjesë në ndeshjet e këtij muaji të ekipit kombëtar të Zvicrës, pasi që u përball me disa probleme në ijën e tij.

Megjithatë, dje trajneri Jurgen Klopp bëri të ditur se Shaqiri është në gjendje shumë më të mirë tani dhe tha se beson që ai do të jetë i gatshëm për ndeshjen e fundjavës.

“Ai është mirë, shumë më mirë. Shaqiri, që prej dy javësh, ka pasur disa probleme me ijën e tij. Ai është stërvitur, jo në maksimumin e tij, por ishte prapëseprapë pjesë e skuadrës sepse ne nuk kishim shumë opsione”, u shpreh Kloppi.

“Tani, ai po ndihet gjithmonë e më mirë dhe duhet të jetë në rregull për fundjavë”.

Të dielën, Liverpooli do të ndeshet me Tottenhamin, në kuadër të Premierligës, dhe deklarata e Kloppit dukej se i rriste gjasat që Shaqiri të jetë i përfshirë në këtë ndeshje.

Megjithatë, uebsajti ndërkombëtar i futbollit, Goal.com, parashikon që Shaqiri nuk do të jetë titullar as në këtë ndeshje, përkundër deklaratës së Kloppit.

“Xherdan Shaqiri është në dyshim për këtë ndeshje, pasi mungoi në kualifikimet e Zvicrës për EURO 2020 me një problem në ijë”, shkruan Goal.com.

Gjatë kohës së fundit, që nga fillimi i vitit të ri, roli i Shaqirit në skuadrën e Liverpoolit është zvogëluar shumë dhe duket se Kloppi e kishte humbur besimin te përfaqësuesi zviceran.

Ndeshja e fundit si titullar për Shaqirin ishte në janar, një nga vetëm dy ndeshjet që i ka filluar nga minuta e parë këtë vit. Që nga atëherë, ai ka luajtur vetëm 40 minuta, duke u inkuadruar në dy ndeshje si zëvendësues. Shaqiri nuk ka luajtur fare në katër ndeshjet e fundit të Liverpoolit.

Image

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat