Antonio Conte riaktivizon dëshirën e vjetër, Dzeko mbetet “gjallë”

Futboll

Antonio Conte riaktivizon dëshirën e vjetër, Dzeko mbetet “gjallë”

Më: 23 maj 2019 Në ora: 11:22
Antonio Conte

Pritja është e gjitha për të dielën, kur në “San Siro”, Interi dhe Empoli do të “përplasin brirët” për synime të kundërta. Zikaltrit për t’u kualifikuar në Champions, ndërsa miqtë për të mbijetuar në Serie A. Nga e hëna e në vazhdim do të bëhen bilancet dhe vlerësimet, ndërsa merkatoja do të jetë në fokus. Antonio Conte do të bëhet trajneri i ri, në vend të Luciano Spalletti, dhe do të kërkojë një skuadër të aftë për të konkuruar me këdo, në çdo nivel.

Për të zgjidhur nyjen “Icardi”, që mund të joshet nga Juventusi, mbetet opsion një sulmues tjetër; Romelu Lukaku. Sezoni i fundit i ndërkombëtarit belg nuk është i paharrueshëm (vetëm 12 gola në Premier Ligë), aq sa Manchester United e ka përfshirë në merkato, për ta shitur. Problem mbetet çmimi i tij, po të kemi parasysh se u ble nga Everton për 85 milionë euro, në vitin 2017. 

Bomberi belg llogaritet rreth 50 milionë euro në buxhetin e “Djajve të Kuq”, siç është raportuar nga “La Gazzetta dello Sport”. Interi mund ta arrijë dhe tejkalojë këtë shifër, duke futur në veprim kartonin e Ivan Perisic, objektivin e José Mourinhos në “Old Trafford”, një vit më parë. Asoskohe, oferta prej 35 milionë euro për kroatin u refuzua nga Interi.

Tani, megjithatë, gjërat kanë ndryshuar. Perisic mund të largohet nga Milano. Mbetet për të gjetur akordin, sa i përket “punësimit” të belgut, nëse është i gatshëm ta ulë nivelin e pagës që merr në Angli. Perisic paguhet 4.5 milionë euro në sezon te zikaltrit, çka nuk përbën asnjë problem për Manchester United. Ardhja e mundshme e Lukakut nuk do ta përjashtonte atë të Edin Dzeko, i kërkuar nga Conte në janar 2018, te Chelsea. 

Në atë kohë, boshnjaku preferoi të qëndronte në Romë dhe bëri mirë, sepse arriti deri në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve atë vit. Situata e tij aktuale është krejtësisht e ndryshme, kontrata i skadon në vitin 2020 dhe verdhekuqtë nuk do t’ia rinovojnë. Pra, sulmuesi në fjalë duket më shumë se vetëm hipotezë për Interin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat