Veteranët e Mitrovicës me trofeun më të çmueshëm

Futboll

Veteranët e Mitrovicës me trofeun më të çmueshëm

Më: 14 qershor 2019 Në ora: 10:34
Veteranët e Mitrovicës me trofeun më të çmueshëm

Veteranët e Mitrovicës janë fitues të Kupës së Kosovës në futboll, garë kjo që për herë të parë u organizua nën ombrellën e FFK-së nga Liga e Veteranëve. Në ndeshjen finale, e cila u zhvillua sot në orët e vona të pasdites në stadiumin e 2 Korrikut në Prishtinë, veteranët e Mitrovicës kanë shënuar fitore në duel me veteranët e Ferizajt, vetëm pas penalltive 6:5, ngase ndeshja në kohën e rregullt (dy herë nga 35 minuta) u mbyll baras 2:2.

Nga afër këtë ndeshje e ndoqi edhe sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu si dhe ish-futbollistë e trajnerë të futbollit kosovarë ndër vite.

“Kjo është mënyra më e mirë që shumë gjenerata të futbollistëve që kanë dhënë shumë për futbollin e Kosovës ndër vite dhe në periudha të ndryshme të shihen sërish ndërmjet veti, por njëherësh të jetë edhe si dëshmi se shumë gjenerata kanë sakrifikuar duke luajtur nëpër livadhe e ara për ta mbajtur gjallë futbollin e Kosovës, teksa sot gjeneratat e reja me paraqitjet e tyre po na bëjnë të gjithëve krenarë”, ka thënë Salihu.

Me gjithë temperaturat e larta veteranët e të dyja ekipeve dhuruan lojë shumë të mirë dhe me rivalitet të madh gjatë 70 minutave lojë. Ferizajasit kaluan të parët në epërsi me golin e Amir Lamaxhemës, në minutën e 30-të. Mirëpo, vetëm katër minuta më vonë Seid Onbashi i barazoi shifrat. Pjesën e dytë e nisën më mirë për mitrovicasit, të cilët në minutën e 47-të kaluan në epërsi. Realizator i golit ishte sërish Seid Onbashi.

Megjithatë, në vazhdim ferizajasit u treguan dukshëm më këmbëngulës dhe arritën të barazojnë rezultatin me golin e Genc Hysenit, në minutën e 56-të. Në minutat e mbetura të dyja skuadrat patën mundësi të mira shënimi, por nuk arritën të gjejnë golin e fitores dhe kësisoj fituesin e përcaktuan seritë e penalltive. Më efikas nga 11 metra u treguan veteranët e Mitrovicës, të cilët në fund fituan 6:5.

Në fund, medaljet për ekipet finaliste i shpërndau drejtori për sport në KK të Prishtinës, Fitim Rexha, derisa kupën kapitenit të veteranëve mitrovicas ia dorëzoi kryetari i Shoqatës së Trajnerëve, Ajet Shosholli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat