Gjeraj: Jam befasuar me ligën e parë!

Futboll

Gjeraj: Jam befasuar me ligën e parë!

Nga: Kemajl Goca Më: 21 qershor 2019 Në ora: 19:06
Gjeraj: Jam befasuar me ligën e parë!

Besa për një pikë nuk arriti që të rikthehet në elitën e futbollit të Kosovës. Pejanët nuk patën fat as në përballjen e barazhit, kur u mundën me rezultat 1:0 nga Gjilani. Futbollisti me përvojë, Robert Gjeraj, është si motor i skuadrës pejane, tha se edicionin që e lamë pas ka qenë jashtëzakonisht i mirë, por i dhemb në shpirt që skuadra e tij për një fije të flokut nuk u rikthye në elitë. 

“Bota sot”: Si e sheh ligën e parë, a ka rritje të nivelit?
Robert Gjeraj:
Kam pasur një përshtypje tjetër para se me luajtur në ligën e parë, sepse gjashtë muaj para se të kaloja në Besë isha në Superligë.

Kam pasur përshtypje se është më lehtë në ligën e parë, por kishte ndryshuar shumë dhe mendoj se lufta ishte shumë më e fortë në fushë, më e fortë se në Superligë, prej vendit te parë e deri të i fundit, çdo kundërshtar ka qenë i fortë, nuk u ditë kush kë e mposht.  Jam befasuar për të mirë, kur i shtohet se sivjet është edhe Liria edhe Vëllaznimi dhe rivalitet do të jetë edhe më i madh.

“Bota sot”: Liria, Vëllaznimi, Trepça, Besa, KEK-u e Ramiz Sadiku, skuadra me renome në ligën e parë, apo një Superligë tjetër? 
Robert Gjeraj:
Një Superligë tjetër, krejt skuadrat që duhet me qenë pjesë e Superligës për fat të keq janë në ligën e parë.  Mendoj se këto skuadra që janë në ligën e parë do të kenë shikueshmëri, bile edhe sikurse të ishin edhe në ligën e tretë do ta kishin shikueshmërinë e madhe. Liga e parë do të jetë shumë interesante pavarësisht se a do të jem apo jo në Besë. 

“Bota sot”: A do të jetë më ndryshe liga e parë? 
Robert Gjeraj:
Mendoj se do të jetë më ndryshe, kemi një Besë, një Liri, një Vëllaznim dhe kur takohen mes vete këto skuadra padyshim se do të jetë derbi i madh i skuadrave të Rrafshit të Dukagjinit dhe tifozeria nuk do të ndalet, por do t’i mbush tribunat e këtyre skuadrave.

Këto skuadra edhe pse janë në ligën e parë duhet mu organizuar dhe mu përforcuar më shumë se në Superligë. Besa, Vëllaznimi, Liria, Trepça janë ajka e futbollit të Kosovës dhe e kanë vendin në Superligë, por për të arritur aty duhet mu organizuar edhe më mirë.
“Bota sot”: Besa mbetet edhe më tej në ligën e parë.
Robert Gjeraj:
Besa sivjet për pak nuk u fut në ligë, na mungojë edhe fati sportiv, edhe disa terrenet të papërshtatshme na dëmtuan që të marrin rezultat të mirë dhe pa llogaritur disa rrethana tjera.

“Bota sot”: A jeni i kënaqur me Besën? 
Robert Gjeraj:
Me Besën jam shumë i kënaqur edhe e falënderoj shumë këtë ekip, sepse si në momentet më të mira (kur ishim kampion) si në momentet më të vështira kam qenë dhe jam pjesë e saj. I falënderoj ata që ma kanë dhënë mundësinë mi ndihmuar dhe çdo herë që kam qenë në Besë kam luftuar për diçka, Besa e ka një vend të veçantë në karrierën time, është shtëpia e dytë e imja.

Por mos të harrojmë edhe Vëllaznimin, Lirinë, që do ta kem të vështirë t’i ndajë njëra me tjetrën, ku kam kaluar shumë momente të mira dhe secila e ka nga një epokë të veçantë. Megjithatë Besa në momentet më të vështira mu ka gjetur shumë afër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat