Kabashi paralajmëron Prishtinën, nuk do ta ketë lehtë

Futboll

Kabashi paralajmëron Prishtinën, nuk do ta ketë lehtë

Nga: Kemajl Goca Më: 16 gusht 2019 Në ora: 19:48
Kabashi paralajmëron Prishtinën, nuk do ta ketë lehtë

Nesër hapet perdja e edicionit të ri të elitës së futbollit të Kosovës në futboll. Në hapje dy derbi, ai në kryeqytet mes rivalëve të vjetër Flamurtarit dhe Prishtinës dhe në Drenas mes kampionit Feronikelit dhe Drenicës!

Sfida më e nxehtë është në stadiumin e Flamurtarit, pasi që të dyja skuadrat e kryeqytetit pretendojnë fitore. Flamurtari ka përparësinë e fushës dhe beson se do ta dalin me rezultat të favorshëm karshi Prishtinës që drejtohet nga trajneri Mirel Josa.

Artim Shaqiri, trajner i Flamurtarit, synon që të debutojë me rezultat të mirë! Kapiteni i Flamurtarit, Veton Kabashi, tha se janë të përgatitur maksimalisht, me bindje se do të dalin të pamposhtur. Ballafaqimi mes këtyre rivalëve luhet nesër në orën 17.00 dhe pritet të mbledhë sa më shumë shikues.

“Kemi punuar në këtë fazë shumë me trajnerin e ri, jemi përgatitur për ndeshjen e parë kushdo që të ishte kundërshtari i ynë, pasi që çdo ekip është i fortë”, tha Kabashi për gazetën kombëtare “Bota sot”. “Flamurtarët” nuk kanë mungesa, kjo është edhe një anën e medaljes së tyre. “Është komplet ekipi, nuk ka mungesa, fusha normalisht që është një armë e jona sepse ndihemi më shumë si vendas”, tha ai.

Kapiteni tha se është ndeshja e parë dhe do të futen me të gjitha forca për të nxjerr më të mirën: “Është ndeshja e parë e kampionatit dhe do të hyjmë në lojë që të marrim maksimumin, ndërsa çka sjell loja le të mbetet që të shihet. Mendoj që jo Flamurtari nga Prishtina por të gjitha ekipet këtë sezon janë në nivel përafërsisht të njëjtë”.  Edhe në taborin e Prishtinës janë optimistë se do të dalin me rezultat pozitiv nga Flamurtari.

Synimi i Prishtinës si gjithmonë është fitorja dhe janë kandidat kryesor për titullin e kampionit së bashku me kampionin e ri Feronikelin.

Në Drenas Feronikeli me trajnerin e ri Dejan Vukçeviçin kërkojnë vetëm fitore dhe asgjë tjetër ndaj Drenicës, kjo e fundit shpreson në befasi dhe mos të kthehet duarbosh nga stadiumi “Rexhep Rexhepi”. Nesër do të zhvillohet edhe takimi mes Llapit dhe të rikthyerit në elitë Vushtrrisë, ndërsa të dielën luhen tri takime: Drita-Ferizaj, Dukagjini-Ballkani dhe Trepça ’89-Ferizaj.

Superliga e Kosovës, java 1
E shtunë

Feronikeli-Drenica
Flamurtari-Prishtina
Llapi-Vushtrria
E diel
Drita-Ferizaj
Trepça '89-Gjilani
Dukagjini-Ballkani
Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 17.00

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat