64 mln euro për zero gola, i preferuari i Perez përjashtohet edhe nga kombëtarja

Futboll

64 mln euro për zero gola, i preferuari i Perez përjashtohet edhe nga kombëtarja

Më: 8 tetor 2019 Në ora: 21:34
Florentino Perez

Më shumë se një muaj më parë, Luka Jovic u zemëruar shumë për zërat në lidhje me të ardhmen e tij. Në mesin e muajit gusht ka filluar të flitet për një huazim të mundshëm të tijin, me shtypin spanjoll që  shkruante se Zidane nuk e vlerësonte shumë.

Nga ana tjetër, serbi mund ta priste. Blerja e tij është kërkuar kryesisht nga Florentino Perez, i cili duket se nuk ka arritur ta bindë trajnerin e Los Blancos. Tani, Jovic rrezikon të kthehet në një dështim shumë të kushtueshëm, duke parë se është paguar 65 milionë euro nga Real Madrid, që ka marrë zero gola në këmbim.

Një rendiment zhgënjyes, edhe pse do të ishte e padrejtë të pritej diçka më shumë duke parë minutazhin. Nga 900 minutat e luajtura deri tani nga Real Madrid, Jovic ka kaluar në fushë vetëm 210, 156 prej të cilave në dy takimet e vetme si titullar.

Për sa i takon ndeshjeve të tjera, ai ka qëndruar në stol ose ka luajtur shumë pak minuta. Gjithsesi, serbi nuk ka treguar asnjë nga cilësitë që bindën Real-in ta merrte në ato ndeshje që është aktivizuar. Rreziku për të tani është që të lihet mbrapa nga Vinicius dhe Rodrygo në rotacionet e Zidane. Një problem i vërtetë, për të dhe për Serbinë.   

Siç ka bërë të ditur Marca, trajneri i Serbisë, Ljubisa, nuk e ka grumbulluar për ndeshjen kundër Lituanisë, që do të jetë thelbësore për ambiciet e serbëve për t'u kualifikuar në Euro 2020. Shumë pak minuta në fushë dhe një formë fizike që mbetet për t'u vlerësuar. Serbia mund të jetë edhe në vendin e fundit në grup, por nëse nuk do të fitojë kundër Lituanisë, atëherë mund t'i thotë lamtumirë kualifikimit në fazën finale të kompeticionit kontinental.

Kështu, pasi ka parë shpesh Real-in të luajë pa të, Jovic do të duhet të shikojë nga divani edhe kombëtaren. Jo pikërisht ajo që pritej nga galaktiku i ri...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat