Pique kujton një moment interesant me Fergusonin dhe lepurushin e tij

Futboll

Pique kujton një moment interesant me Fergusonin dhe lepurushin e tij

Më: 30 nëntor 2019 Në ora: 00:29
Gerrard Pique

Marrëdhënia mes Sir Alex Ferguson dhe Gerrard Pique nuk ka qenë kurrë shumë e mirë.

Qendërmbrojtësi i Barcelonës u la i lirë të largohej pa shumë probleme nga United. Megjithatë, kujtimet që lidhin Piquen me Anglinë janë tragjikomike.

Disa prej tyre janë zbuluar gjatë dokumentarit me seri të krijuar rreth Barcelonës dhe që ka shpesh si protagonist pikërisht mbrojtësin, i cili, në kohën kur luante me “Djajtë e Kuq”, ka shkaktuar disa probleme.

Në serinë e tretë të dokumentarit, Pique ka zbuluar disa sekrete që kanë mbetur të tillë deri në momentin e daljes së “Matchday”. “Kam kaluar disa momente të papëlqyeshme në atë qytet. E kam parë veten më shumë se një herë në një stacion policie”, ka thënë Pique.

“Isha shumë i ri në atë kohë. Gjithsesi, qyteti nuk është aq i keq sa e përshkruajnë. Edhe pse nuk është i qetë, siç kam dëgjuar të thuhet”, ka shtuar duke qeshur.

Më pas ka ardhur radha e historisë kur ai zemëroi trajnerin e United për faj të një lepurushi. Pique jetonte me qira në një nga shtëpitë e Sir Alex Ferguson. Për të luftuar vetminë, ai ka marrë një brejtës, që bënte shumë “punë” në mungesë të tij.

“Kam marrë me qira një apartament nga Sir Alex dhe kam marrë një lepur që i shkatërroi shtëpinë. Ka brejtur gjithçka, duke përfshirë dhe karriget. Kur u largova, Ferguson më ka telefonuar. Ndihej shumë i fyer”.

Trajneri skocez e ka pyetur pse mbante një lepur në shtëpi dhe përgjigja e spanjollit ka qenë e thjeshtë: “Një qen ishte shumë i madh, ja pse kam zgjedhur një lepur”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat