Mezani tregon diferencën Shqipëri-Kosovë

Futboll

Mezani tregon diferencën Shqipëri-Kosovë

Më: 11 prill 2020 Në ora: 15:09
Mezani tregon diferencën Shqipëri-Kosovë

Gentjan Mezani është rikthyer në Vlorë që pas ndërprerjes së aktiviteteve në muajin mars. Trajneri vlonjat i Gjilanit në Superligën kosovare, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, tregon për këtë situatë të paprecedentë që po kalojnë të gjithë, ndërsa komenton edhe krizën financiare që ka kapluar klubet.

Ai thekson se në skuadrën që drejton nuk ndihet aspak kjo krizë, duke bërë edhe diferencën që ka aktualisht kampionati shqiptar me atë të Kosovës.

Mezani, si po e kaloni këtë sitatë të jashtëzakonshme dhe a po i zbatoni rregullat?

Unë jam në Vlorë, pranë familjes. Sigurisht që po i zbatojmë rregullat, sepse është shumë e rëndësishme që të jemi të gjithë të angazhuar për te dhënë pak mbështetje në këtë sfidë të njerëzimit.

Cilët lojtarë të Gjilanit që kanë luajtur në Superiore kanë mbetur në Kosovë?

Kanë mbetur disa lojtarë, por nga ata që njihen më tepër prej kampionatit shqiptar janë Frashëri dhe Bushiç. Që kur u ndërpre kampionati, këta lojtarë nuk janë larguar nga Kosova.

Sa ndikon kjo ndërprerje e kampionatit te futbollistët?

Është një situatë jo normale dhe duke parë që sporti i futbollit është kolektiv, stërvitja individuale është vetëm për t’u mbajtur në formë, sepse ne këto momente që flasim mendoj që të gjithë e kanë humbur ritmin e lojës.

Si komunikon me lojtarët në këtë situatë për t’i kontrolluar rreth asaj që bëjnë?

Me futbollistët lidhemi nëpërmjet aplikacioneve që na mundësohen në internet dhe qëndrojmë në kontakte çdo ditë, duke dhënë udhëzime për seancat stërvitore.

Në Vlorë gjendet edhe mbrojtësi vlonjat i Gjilanit, Franc Veliu. Ai duket se është me fat që po stërvitet me ju…

Po, takohemi çdo ditë. Atë një orë që kemi mundësi dhe e shfrytëzojmë për të zhvilluar përgatitje aq sa na lejon koha dhe terreni.

Në Shqipëri ka problem të mëdha financiare thuajse në shumicën e klubeve elitare. Si është realisht situata në Kosovë?

Nuk e di për skuadrat e tjera, sepse të them të vërtetën nuk është se jam interesuar për këtë gjë, por unë mund të flasë vetëm për Gjilanin. Ne kemi një president që është tej mase korrekt dhe nuk kemi probleme të tilla. Pikërisht korrektësia e tij ka bërë që deri tani të jemi të qetë dhe të punojmë me përkushtim për të arritur objektivin.

Mendoni se kampionati, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, duhet të fillojë aty ku u ndërpre, apo keni ndonjë ide tjetër?

Mendoj dhe shpresoj shumë që të fillojë përsëri dhe sa më shpejt, sepse shumë klube kanë bërë investime këtë vit dhe ndoshta në këto momente nuk janë në objektiva. Në lojë janë shumë pikë akoma, gjë që do u jepte mundësinë ta arrinin këtë objektiv. Por pa u qetësuar kjo situatë mendoj që në radhë të parë duhet të kujdesemi për shëndetin tonë dhe të të afërmve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat