Lajm i mirë, 42 ekipe më shumë se edicionin e kaluar - Bota Sot
Lajm i mirë, 42 ekipe më shumë se edicionin e kaluar

Futboll

Lajm i mirë, 42 ekipe më shumë se edicionin e kaluar

Më: 12 gusht 2020 Në ora: 18:04
Lajm i mirë, 42 ekipe më shumë se edicionin e kaluar

Zyra Rajonale e FSHF-së Tiranës ia doli të shpallej fituese këtë edicion për grupmoshën U-15, U-17 dhe U-19, në kampionatin që zhvillohet ndërmjet zyrave rajonale. Por kjo nuk është pjesa më e rëndësishme e misionit të kësaj zyre, që synon evidentimin e lojtarëve të rinj për futbollin shqiptar.

Edhe pse ky vit, ishte një vit jo i zakonshëm, për shkak të pandemisë së COVID-19, verdiktet e kampionatit për zyrat rajonale u dhanë në fushën e lojës. Ky edicion pati disa risi dhe në të njëjtën kohë edhe problematika. Agim Mone, përgjegjësi për Zyrën Rajonale të Tiranës, duke analizuar ecurinë e këtij sezoni në një intervistë për fshf.org, shpjegon të gjitha arritjet, risitë dhe problematikat e hasura.

Gjithashtu, ai shprehet i kënaqur pasi ka pasur një shtim të numrit të ekipeve, meshkuj dhe femra dhe thekson edhe synimet për edicionin e ardhshëm.

Cilat janë risitë e edicionit që lamë pas në kampionatin rajonal amator të Zonës Rajonale Tiranë?
Në edicionin që lamë pas, vlen të përmendet fakti se për herë të parë, kampionati i femrave u zhvillua në grup në vete. Kjo ishte një nga risitë kryesore të edicionit, por gjithashtu, ky edicion mund të cilësohet edhe si i suksesshëm pasi kampionatin, për çdo grupmoshë, e mbyllëm në fushë, duke pasur parasysh edhe situatën që përfshiu vendin, për shkak të pandemisë COVID-19.

A mund të na përmendni disa nga problematikat kryesore të këtij edicioni?

Do të theksoja se kemi një mungesë të theksuar fushash, të cilat na pengojnë në punën tonë për të zhvilluar ndeshjet normalisht.

Sipas jush, a u arritën objektivat, në aspektin e rritjes së pjesëmarrjes? Numri i pjesëmarrësve ka qenë i kënaqshëm krahasuar edhe me edicionin e shkuar?

Duke e krahasuar me edicionin e kaluar, 2018-2019, janë shtuar 36 ekipe meshkujsh dhe 6 ekipe femrash. Pra kemi një rritje, me 42 ekipe në total, krahasuar me vitin e shkuar. Dhe për këtë edicion, në zyrën rajonale të Tiranës, kemi gjithësej 284 ekipe, duke filluar nga mosha 7-vjeçare deri në moshën 19-vjeçare.

Cilat janë risitë për edicionin e ardhshëm? Cilat janë synimet kryesore?
Në fakt, kemi disa synime kryesore dhe një ndër to është shtimi i numrit të ekipit të femrave, pasi siç dihet, ky është edhe një ndër prioritetet kryesore të Federatës Shqiptare të Futbollit. Gjithashtu, synojmë që të shtojmë numrin e ekipeve të moshave, 7, 9 dhe 11 vjeç. Dhe nga ana tjetër, duhet të kemi më tepër trajnerë të kualifikuar sipas grupmoshave.

Pra, secila grupmoshë të ketë trajnerin e saj. Dhe në fund, synojmë që të heqim pikët për moshat, 7, 9 dhe 11 vjeç, pasi synimi për ne nuk është kush fiton kampionatin, por synojmë që këto fëmijë që stërviten, të arrijnë të formohen dhe të ndjekin rrugën e bukur të futbollit. Për këtë arsye kemi si qëllim edhe zhvillimin e marrëdhënieve mes klubeve, shkollave dhe komunitetit, për t’i afruar ata më shumë me këtë sport.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat