Juventus gati të hapë dyert e stadiumit që në javën e parë

Futboll

Juventus gati të hapë dyert e stadiumit që në javën e parë

Më: 3 shtator 2020 Në ora: 13:51
Juventus gati të hapë dyert e stadiumit që në javën e parë

Shifrat e pandemisë Covid-19 vijojnë të jenë shqetësuese, por bota po fillon të bashkëjetojë me koronavirusin dhe nga dita në ditë po i rikthehet normalitetit.

Kështu po ndodh edhe me futbollin, pasi në muajin qershor topi filloi të lëvizë anembanë botës, ndërsa plani i radhës është edhe rikthimi i tifozëve në shkallët e stadiumit, për të mbushur zbrazëtinë e krijuar nga koronavirusi.

Kështu në ditën e shortit të sezonit të ri të Serisë A, drejtuesi i rajonit të Piemontes, Alberto Cirio ka deklaruar se ka dhënë miratimin që Juventusi të mund të luajë me tifozë që në ndeshjen hapëse dhe se dosjen e ka përcjellë pranë qeverisë qendrore, për të marrë miratimin e Këshillit Shkencor Teknik.

Cirio u shpreh se po vijon punën edhe me klubin e Torinos, për të rikthyer normalitetin sa më shpejt në shkallët e stadiumit, ndërsa theksoi se të njëjtat hapa po ndiqen edhe në sporte të tjera.

Ndeshjen hapëse Juventusi do ta luajë në “Allianz Stadium” përballë gjenovezëve të Sampdorias, ndërsa drejtuesit e klubit bardhezi bënë me dije se kanë kërkuar zyrtarisht që dyert e impiantit të hapen për 3000 tifozë, njē shifër kjo që përbën më pak se 10% të kapacitetit të plotë.

Edhe trajneri i ri i bardhezinjve, Andrea Pirlo u shpreh mjaft i lumtur nga ideja që ndeshjen e parë mund ta luajë para publikut juventin dhe theksoi se tifozët i kanë munguar shumë futbollit në muajt e fundit.

“E kishim parashikuar një start ndaj një skuadre gjenoveze dhe na ra Sampdoria. Jemi të lumtur që do ta nisim në shtëpi, por mbi të gjitha për faktin se mund të luajmë para publikut tonë. Tifozët i kanë munguar futbollit në muajt e fundit dhe shpresoj në një rikthim të normalitetit”, u shpreh Pirlo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat