Si ndalet Ibrahimoviç?

Futboll

Si ndalet Ibrahimoviç?

Më: 23 tetor 2020 Në ora: 12:30
Si ndalet Ibrahimoviç?

“Ishte shumë e rëndësishme ta nisnim me një fitore në Europë, por në këtë kompeticion ka ende shumë ndeshje për t’u luajtur. Tani dua që i gjithë përqendrimi ynë të spostohet te ndeshja me Milanin”.

Në këtë mënyrë, Paulo Fonseka, karikon futbollistët e tij, pas një fitoreje me përmbysje në Zvicër, kundër Jang Bojsave, ndonëse dueli i të hënës në kampionat, përballë kuqezinjve që dinë vetëm të fitojnë ka një peshë tjetër, madje mund ta mbajë pezull edhe fatin e pankinës së trajnerit verdhekuq.

“Do bëj 9 zëvendësime edhe me Milanin? Ta shohim, ku i dihet, kemi disa ditë që ta mendoj këtë, – qesh Fonseka, i pyetur lidhur me rrotacionin e gjerë që bëri dje në Bernë. – E vërteta është që unë kam shumë besim te të gjithë futbollistët e mi dhe ky rrotacion ishte disi i detyruar edhe nga fakti se përpara kemi një ndeshje shumë të vështirë si ajo me Milanin.

Ndoshta, gjërat ndaj Jang Bojsit nuk na ecën shumë mirë që në fillim, ndoshta skuadra e ndjeu disi peshën e zëvendësimeve të shumta, por me zëvendësimet gjetëm ekuilibrin e duhur, Xheko dhe Mikhitarjan bënë diferencën, duke shpikur edhe pasimet për golat që sollën fitoren tonë. Jam shumë i lumtur për këtë rezultat, jam shumë i lumtur për Spinacolën që bëri një ndeshje fantastik, jam gjithashtu i kënaqur edhe për Kumbullën që realizoi.

Më pëlqyen dhe disa nga lojtarët që kanë luajtur shumë pak deri tani, ndaj shpresoj që kjo fitore me përmbysje të jetë një stimul për të gjithë ne”. Ndeshja me Milanin tremb jo vetëm si rrjedhojë e mjaft mungesave të rëndësishme në formacion, për shkak dëmtimesh, por edhe për ecurinë që po shfaq rivali kuqezi, i cili jo vetëm në kampionat, por edhe në Europë duket se nuk njeh kundërshtarë për momentin. Dhe për më tepër pyetja normale që i bëhet Fonsekës është:

“Kush do ta markojë Ibrën, nëse gjiganti Smolling nuk ia del? E thashë edhe më parë, unë kam besim të plotë te të gjithë lojtarët e mi. Ndoshta për momentin kemi pak lojtarë në dispozicion, por në mbrojtje edhe nëse Smolling nuk ia del, për të mbajtur Ibrahimoviçin kam besim të plotë Kumbulla, por edhe Ibanjez e Mançini janë drejt kapjes së formës optimale”, përfundoi trajneri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat