Messi uron që Ronaldo do të jetë i gatshëm për supersfidën

Futboll

Messi uron që Ronaldo do të jetë i gatshëm për supersfidën

Më: 23 tetor 2020 Në ora: 16:34
Messi uron që Ronaldo do të jetë i gatshëm për supersfidën

Nesër është momenti i “klasikes” në Spanjë dhe Lionel Mesi, për mikrofonat e “DAZN”, flet për rivalitetin e përjetshëm mes Barcelonës dhe Realit të Madridit, që pjesë të historisë ka edhe atë mes tij dhe Kristiano Ronaldos:

“Ai me Kristiano Ronaldon ishte një duel special, i cili do të mbetet përgjithmonë. Dueli zgjati për shumë vite dhe nuk është e thjeshtë që të ruash nivele të caktuara për një kohë kaq të gjatë. Edhe skuadrat tona ishin shumë ambicioze: Reali i Madridit dhe Barcelona, dy klubet më të forta në botë. Të konkurrosh për kaq shumë vite është diçka që do të mbetet përgjithnjë. Dueli mes meje dhe Kristiano Ronaldos ishte shumë i bukur në nivel personal dhe besoj se njerëzit janë argëtuar: tifozët e Realit dhe Barcelonës, por në përgjithësi edhe të gjithë të apasionuarit e futbollit”.

DUELI I MESJAVËS – “Sigurisht që kur Kristiano luante te Reali i Madridit, ndeshjet ishin speciale, kundër tyre gjithnjë kanë qenë, por me Kristianon në fushë kishin një rëndësi të veçantë. Por, tashmë kjo është e shkuara dhe duhet parë përpara, për duelet e sotme”, analizoi argjentinasi një prej rivaliteteve më të mëdha të historisë. Me portugezin, shorti i Champions-it e vendosi që ai të kishte edhe dy përballje të tjera në fazën e grupeve këtë sezon.

Njëra prej të cilave është në rrezik për shkak të infektimit të yllit të Juventusit me Koronavirus. Nëse do të jetë CR7 të mërkurën në Torino kundër Barcelonës, është diçka që pritet ende të konfirmohet dhe 35-vjeçari po lufton me kohën për të lënë pas gjurmët e fundit të “COVID-19” për të mos munguar në përballjen e tij të parë kundër “Pleshtit” pas largimit nga “Bernabeu”. Sigurisht që kapiteni i katalanasve e do në fushë numrin 7 dhe uron që ai të dalë negativ:

“Të mërkurën do të kemi ndeshjen me Juventusin dhe mundësinë për t’u përballur edhe një herë tjetër. Shpresojmë që Kristiano të mund të jetë dhe të shërohet shpejtë nga Koronavirusi”. Në Portugali sulmuesin e japin ende pozitiv, edhe pse vijon të jetë asimptomatik dhe në tamponin e fundit që ai bëri ditën e mërkurë, gjurmët e virusit janë ende në trupin e tij. Prania e tij përballë Barcelonës më 28 tetor është ende në dyshim, pavarësisht se rregullat e UEFA-s e lënë gjithçka të hapur.

Tashmë mjafton të jesh negativ 48 orë përpara ndeshjes që të mund të lejohesh të luash. Dhe me një skenar të tillë, kemi ende shanse për ta parë duelin më të shumëpritur të tifozëve të dy ikonave edhe një herë tjetër, këtë herë duke mbajtur fanellat e dy klubeve të ndryshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat