Skënderbeu zhyt në krizë Bylisin

Futboll

Skënderbeu zhyt në krizë Bylisin

Më: 21 nëntor 2020 Në ora: 15:53
Skënderbeu zhyt në krizë Bylisin

Skënderbeu bën befasinë në Ballsh ndaj Bylisit, pasi ia doli të triumfojë me rezultatin 0-2 dhe të regjistrojë fitoren e parë në kampionat, pikërisht në javën e tretë të Kategorisë Superiore.

Në “Adush Muça” përballeshin dy skuadra që nuk e kishin provuar ende shijen e fitores dhe mallakastriotët ishin më favoritë në letër, por në fushë parashikimet u përmbysën dhe ishte Skënderbeu që festoi marrjen e 3 pikëve.

Ballshiotët e nisën vrullshëm ndeshjen dhe fillimisht goditën traversën me anë të sulmuesit Anthony Beji e më pas kërcënuan dy herë rrezikshëm me anë të Mehmetllarit, por portieri Dajsinani u shfaq në lartësinë e detyrës.

Nga ana tjetër Skënderbeu mbrohej me forca të shumta dhe zbriste në kundërsulme të shpejta, teksa në një moment ishte sulmuesi kryesor Mensah që provoi reflekset e portierit të ballshiotëve, Pano Qirko, i cili reagoi në mënyrë spektakolare dhe devijoi topin.

Edhe pjesa e dytë pa Bylisin dukshëm favorit dhe shumë më kërkues, teksa në minutën e 58’ fituan edhe një 11-metërsh, ekzekutimin e të cilit e mori përsipër Serxho Ujka, por goditja e tij u grushtua mjaft mirë nga portieri Dajsinani.

Goli i avantazhit për Skënderbeun erdhi në minutën e 70’, kur pas një topi që i doli disi me fat, sulmuesi shkodran Belajdi Pusi lëshoi një goditje spektakolare nga jashtë zonës dhe dërgoi sferën në trekëndëshin e portës së mbrojtur nga Qirko.

Bylis provon të reagojë, por korçarët administrojnë mirë avantazhin dhe ulin ritmin e lojës, teksa në minutën e 85-të zbritën sërish në kundërsulm dhe pas disa tentativash në zonë, ishte Tereziu që dërgoi për herë të dytë topin në rrjetë, duke vulosur suksesin e Skënderbeut.

Me këtë fitore korçarët ngjiten në kuotën e 4 pikëve, ndërsa Bylis mbetet në krizë rezultatesh, pasi përtej pritshmërive, ka regjistruar vetëm dy barazime në tre javët e para dhe duket larg formës së një viti më parë.

Shumë polemika në Kamëz, por në fund Kastrioti e Apolonia ndanë nga një pikë falë barazimit 1-1, ndërsa fierakët janë më të zhgënjyerit, pasi episodet ishin në disfavor të tyre. Sfida mes të dy skuadrave ishte mjaft e luftuar, me Kastriotin që mori rolin e protagonistit, por nga ana tjetër Apolonia mbrohej mirë dhe zbriste rrezikshëm në kundërsulm.

Pas shumë përpjekjesh, ndeshja u zhbllokua në minutën e 79’, kur sulmuesi i talentuar i fierakëve, Mihana lëshoi një goditje mjaft të bukur nga distanca dhe mposhti portierin veteran Isli Hidi.

Më pas momenti më i diskutueshëm erdhi vetëm 5 minuta më vonë, kur pas një krosimi në zonë, Benjamin largon topin, por për arbitrin kryesor me dorë dhe akordohet penallti për Kastriotin.

Protesta të forta nga ana e fierakëve dhe mbrojtësit të tyre, që pretendonte se e ndali topin me gjoks, por arbitri nuk ka dyshime dhe nga pika e penalltisë shkoi Sebino Plaku, që gjuajti saktë dhe riktheu baraspeshën.

Vërshëllima finale la në fuqi barazimin 1-1, me Apoloninë që merr pikën e dytë radhazi, ndërsa Kastrioti ngec, pas një starti shumë të mirë në dy javët e para të kampionatit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat