Leira: Superiorja e fortë

Futboll

Leira: Superiorja e fortë

Më: 17 dhjetor 2020 Në ora: 17:07
Leira: Superiorja e fortë

Matheus Leira Dos Santos, shkurt Matheus Leira, është një ndër lojtarët titullarë fiks në Kukësin e Skënder Gegës. Është aktivizuar nga minuta e parë në 8 ndeshjet e kampionatit, i zëvendësuar vetëm një herë, në sfidën me Laçin.

Ka humbur vetëm 10 minuta nga totali i ndeshjeve që ka zhvilluar skuadra verilindore, shifra që tregojnë se sa i nevojshëm është për mekanizmin e Gegës, që ka nisur të funksionojë, me Kukësin e tij që ka nisur fluturimin me 5 fitore radhazi pas një fillimi të vështirë, diçka që, sipas brazilianit, është shumë e rëndësishme për të çimentuar besimin te një skuadër e krijuar nga e para.

“Nuk e filluam mirë dhe pas asaj situate 5 fitore radhazi ishte një seri shumë e rëndësishme për skuadrën. Çdo ditë punojmë shumë, stërvitemi fort me besim, e dimë që jemi një grup i mirë me shumë cilësi dhe që mund të bëjmë më tepër në çdo ndeshje”.

25-vjeçari ka një karrierë të shëtitur, përveç Brazilit natyrisht ka luajtur në ligat inferiore në  Danimarkë dhe Greqi. Teksa bën krahasimin me Superioren, është e lehtë të lexosh vlerësimin për kampionatin shqiptar.

“Është shumë ndryshe nga ku kam luajtur më parë. Ka shumë kontakt, duhet të luash fort, ka shumë lojtarë cilësorë, më pëlqen si kampionat dhe besoj se ka shumë konkurrencë, pasi ka shumë skuadra të mira”.

Sa i përket rivalitetit, Matheus Leira pas thuajse një faze, ku është përballur me shumicën e skuadrave, e ka të vështirë të veçojë një pretendent për titullin si rivalin kryesor për Kukësin e tij.

“Besoj se këtu janë të gjitha skuadra të mira. Kemi luajtur ndaj të gjithave, me përjashtim të Kastriotit,  me të cilin do ndeshemi në takimin e  radhës, por Partizani, Tirana, Vllaznia dhe Teuta janë të gjitha skuadra të mira. Çdo ndeshje për ne është e vështirë dhe duhet të luftojmë fort për të realizuar në fund objektivin për tu shpallur kampionë”.

Goli i tij i parë në kampionat erdhi në ndeshjen me Skënderbeun, edhe pse jo një sulmues i parë Matrheus Leira nuk fshihet pas deklaratave të zakonshme, e pranon se për të është e rëndësishme të shënojë, edhe pse natyrisht në shërbim të skuadrës.

“Jam shumë i lumtur për golin tim të parë, pasi për mua është shumë e rëndësishme të luaj mirë. Në pozicionin tim ka shumë rëndësi të shënoj, përpiqem të bëj më të mirën për të ndihmuar skuadrën dhe natyrisht të shënoj dhe fitoj”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat