Kukësi i pafat, Tirana i rrëmben pikën!

Futboll

Kukësi i pafat, Tirana i rrëmben pikën!

Më: 23 dhjetor 2020 Në ora: 18:45
Kukësi i pafat, Tirana i rrëmben pikën!

Barazim pa gola në supersfidën e javës së 10-të të Kategorisë Superiore mes Tiranës dhe Kukësit. Në Elbasan Arena, kampionët e Shqipërisë ishin me fat që morën një pikë në këtë transfertë delikate, pasi Kukësi i Gegës gjatë takimit ishte më kërkuese dhe pati disa mundësi të arta për të kaluar në avantazh, madje duhet theksuar se ashtu si në Korçë ndaj Skënderbeut edhe në këtë sfidë, Tirana u ndihmua nga gjyqtarët, me kryesor Klajdi Kolën.

Në pjesën e parë rastin më të mirë për verilindorët e pati Agim Ibraimi i cili i vetëm përballë Bekajt u ndal nga portieri i bardhebluve. Në pjesën e dytë hyrja në lojë e Albin Gashit dhe i dha më shumë shpejtësi lojës sulmuese të Kukësit, që iu afrua golit pikërisht me Gashin në minutën e 55-të, por traversa i tha jo golit të skuadrës së Gegës.

Pak minuta më vonë pas disa veprimesh klasi të Gjelbërim Taipit, Kukësi gjeti golin me sulmuesin Patrick Eze, një gol që u anullua për një pozicion shumë të dyshimtë jashtë loje, me sulmuesin afrikan që dukej se mbahej në lojë nga mbrojtja e Tiranës, në pamjet e përsëritura nga Supersport.

Pak çaste më vonë Kukësi pretendoi për një penallti me Gashin por që edhe pse pati një kontakt mes sulmuesit anësor të Kukësit dhe një mbrojtësi të Tiranës, Albi Kola lejoi vazhdimin e lojës. Rastin më të mirë në këtë sfidë Tirana e Dedes e pati në minutën e 91-të me një aksion personal të Ernest Muçit, por parabola e tij kaloi ngjitur me shtyllën.

Në fund një barazim 0-0 që kënaqi më shumë Tiranën që u ngjit në kuotën e 14 pikë, por të dyja ekipet humbën terren ndaj Vllaznisë kryesuese që edhe pse rimori vendin e dytë tashmë e sheh veten -5 pikë nga kreu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat