Marco Reus drejt Milanit, pengesë bëhet paga e lartë e kapitenit të Dortmundit

Futboll

Marco Reus drejt Milanit, pengesë bëhet paga e lartë e kapitenit të Dortmundit

Më: 29 dhjetor 2020 Në ora: 16:34
Marco Reus

Reus drejt Milanit. Është ky lajmi “bombë” i merkatos që vjen nga Spanja.

“Djalli” po mendon se si të forcojë skuadrën në tregun e ardhshëm të transferimeve.

Si gjithmonë, qëllimi është të kërkojë perspektiva të reja ose, më së shumti, mundësi që i ofron tregu.

Njëra nga këto përfaqësohet nga Marco Reus, mesfushori dhe kapiteni i Borussia Dortmundit, kontrata e të cilit me verdhezinjtë skadon në vitin 2023.

Sipas asaj që shkruan “Fichajes.com”, kuqezinjtë e kanë marrë seriozisht blerjen e mundshme të Reus, me vetë futbollistin që dëshiron ta provojë veten jashtë Gjermanisë, pas një jete të kaluar në Dortmund.

Milani do të ishte një opsion i mirë për të, sipas portalit spanjoll, veçanërisht nëse nuk materializohet rinovimi i turkut Calhanoglu.

Por “Calciomercato.it” raportoi se kuqezinjtë nuk e kanë prioritet të merkatos së janarit Reusin.

Në të vërtetë, duket se lojtari është i destinuar të qëndrojë në Gjermani të paktën deri në fund të vitit dhe pastaj do të vendosë se çfarë të bëjë me karrierën e tij.

Pengesa tjetër është qartazi paga: gjermani merr 10 milionë në sezon, një shifër e lartë për arkat e Milanit.

Grupi “Elliott” është i vendosur të mos i japë aq shumë para një lojtari që i ka mbushur 31 vjeç.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat