Drenica ekipi më aktiv në merkato, transferime me vlerë 1,5 milion euro për ta shpëtuar sezonin

Futboll

Drenica ekipi më aktiv në merkato, transferime me vlerë 1,5 milion euro për ta shpëtuar sezonin

Më: 29 janar 2021 Në ora: 22:49
Bledar Devolli

Drenica po del të jetë skuadra më aktive në merkato.

Skuadra e drejtuar nga Bledar Devolli ka bërë shumë ndryshime në këtë afat kalimtar.

“Shqiponjat e Zeza” kanë larguar dhjetë futbollistë, por kanë transferuar plotë dhjetë futbollistë.

Kreshnik Lushtaku, Jose Denisson, Dardan Rogova, Kreshnik Uka, Klevis Shaqe, Eglentin Gjoni, Behar Ramadani, Donald Rapo, Dionis Çikani dhe Elvis Frashëri janë transferimet e zyrtarizuara të skuadrës.

Sot, “Panorama Sport” ka zbuluar edhe transferimin e tyre të 11-të.

Ai është Harallamb Qaqi që së fundmi ka luajtur tek Skendërbeu.

Vlera e të gjithë këtyre futbollistëve të afruar së bashku shkon deri në 1 milion e 450 mijë euro, por normalisht se me mënyrën si funksionon merkato në Kosovë dhe Ballkan, Drenica i ka marrë të gjithë ata falas.

Skuadra nga Skenderaj është në pozitë shumë të vështirë në tabelë, pasi ka mbyllur stinorin vjeshtor në vendin e parafundit në tabelë.

Tashmë dëshirat e Bledar Devollit janë plotësuar dhe kryesia pret rezultatet dhe “shpëtimin”.

Vetë trajneri gjithashtu ka deklaruar që merkaton e ka bërë ai vetë.

“Futbollistat i kam marrë vetë, janë lojtar që i njoh dhe për këtë dua ta falenderoj edhe presidentin që na ka përkrahur dhe besuar. Shpresoj që ta arsyetojmë me punë si në ligë dhe në kupë, unë kam besimin që do t’i shkojmë kupës deri në fund. Lojtarët që kam marrë i afrohen filozofisë që kam unë për futbollin dhe besoj që nuk do të më zhgënjejnë”- u shpreh trajneri për Fax News Albania.

Drenica e nisë pranverën me duelin e kupës përballë Ulpianës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat