Pioli: Dëmtimi i Bennacer është gjëja më e dhimbshme

Futboll

Pioli: Dëmtimi i Bennacer është gjëja më e dhimbshme

Më: 19 shkurt 2021 Në ora: 11:17
Pioli: Dëmtimi i Bennacer është gjëja më e dhimbshme

Milani ngec sërish, këtë herë në Europa League, teksa nuk shkoi më shumë se një barazim 2-2 në Beograd ndaj Crvena Zvezdës, me serbët që ndonëse me 10 futbollistë, shënuan në minutën e 93-të golin e barazimit.

Trajneri i kuqezinjve Stefano Pioli ka arsye për të qenë i shqetësuar, pasi skuadra dëshmoi edhe njëherë një rënie fizike, pasi nuk pati fuqinë të mbyllë ndeshjen, ndonëse luajti për shumë minuta me një lojtar më tepër.

“Ishte një ndeshje që duhej ta kishim fituar, po na mungoi forca për të shënuar edhe golin e tretë. Nuk e mbyllëm dot ndeshjen dhe më pas morëm një barazim të merituar për atë që dhamë në fushë. Gjendja fizike nuk është më e mira, pasi shumë lojtarë kanë kaluar nga dëmtimi në dëmtim dhe nuk kanë ritmin e duhur, ndërsa të tjerë kanë luajtur më shumë se duhet dhe po ndjejnë efektet e ngarkesës”, deklaroi Pioli.

Mesfushori algjerian Mehdi Bennacer është njëri prej atyre që janë ndalur shpesh për shkak dëmtimi në muajt e fundit dhe mbrëmjen e djeshme vuajti një tjetër problem muskulor e la fushën e lojës që në pjesën e parë.

Rikuperimi i Bennacer për derbin duket i pamundur dhe vendin e tij në fushë pritet ta marrë Sandro Tonali, ndërsa Pioli pranon se sfida me Interin vjen në momentin e duhur, pasi do të sjellë një karikim ekstra te të tijtë.

“Dëmtimi i Bennacer është gjëja më e dhimbshme për mbrëmjen e sotme, pasi mendonim se nuk do rrezikonim më duke e hedhur në fushë. Ishte duke bërë mirë dhe mezi e prisnim rikuperimin e plotë të tij, por tani do të duhet të ndalet sërish.

Derbi vjen në momentin e duhur, pasi përtej ngarkesës fizike, do të sjellë një karikim ekstra te futbollistët. Si nivel jemi shumë pranë dhe mendoj se do të fitojë skuadra që nuk do të pësojë gol”, tha trajneri i Milanit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat