Derbi i madh

Futboll

Derbi i madh

Më: 21 shkurt 2021 Në ora: 11:48
Hernandez

Pas golit kundër Crvenës në Ligën e Europës, Teo Hernandez ka dhënë një intervistë për të përditshmen “Marca”. Ndër temat më të nxehta të fjalës së tij ishte pa dyshim derbi dhe objektivat sezonalë me Milanin.

Si është të luash derbin e Milanos?

Çdo ndeshje brenda qytetit ka rëndësi, por këtë herë vlen më tepër për shkak edhe të renditjes. Do të jetë e mbushur me emocione e uroj të jetë një ndeshje e bukur.

Kujt i druheni më tepër nga rivalët?

Askujt, as unë, por as shokët e mi. Do të bëjmë të pamundurën duke luftuar deri në fund për fitoren.

Vrapimet tuaja janë një armë më tepër për ekipin…

Kur rifitoj topin mendoj për portën kundërshtare e në kokën time mendoj për të shënuar.

Jeni dakord me Maldinin që thotë se mund të jeni mes më të mirëve në botë?

E mendoj edhe unë dhe me punën që po bëj e meritoj. E di që nevojitet edhe më shumë punë, megjithatë nëse unë jap maksimumin edhe njerëzit do të kenë mundësi të më vlerësojnë.

Këndoret e Milanit ju shohin gjithnjë në pozicione të ndryshme…

Trajneri më kërkon që ndonjëherë t’i godas e herë të tjera të qëndroj buzë zonës së rreptësisë për të tentuar me topat e dytë. Më pëlqen kur kam mundësinë të godas nga distanca, por kur gaboj Ibra më bërtet.

Si është të kesh në ekip dikë si suedezi?

Një plus i madh. Më habit fiziku i tij pasi ka një formë për t’u pasur zili edhe pse është 39 vjeç. Është person për së mbari dhe shok ideal për në ekip, megjithatë ndonjëherë na çan kokën me kritikat e tij, edhe pse shpesh janë të drejta.

Me këtë ritëm mund të shkoni në kombëtare. Çfarë thotë vëllai juaj?

Familja është gjëja më e shtrenjtë që kam, por kombëtaren nuk e përmendim. Pas golit me Lacion festova për t’i dërguar një mesazh trajneri Deshamp. Kam lindur në Marsejë e jam rritur në Francë, por jam ndier gjithmonë francez.

Përse Pioli ankohet për dietën tuaj?

Unë ndjek rregulla duke konsumuar shumë pulë, oriz dhe perime. Ndonjëherë konsumoj ndonjë picë apo panine…Kaq. (qesh)

Të dielën ju pret një duel interesant me Hakimin. Jeni gati?

Nuk prisja që Reali ta lejonte të largohej. Kur ishim të dy në Madrid nuk luanim shumë, ndaj zgjodhëm të largoheshim për të mirën tonë. Si unë ashtu edhe Hakimi kemi ecuri të mirë e tani luajmë në Milano. Është një lojtar i jashtëzakonshëm, me shumë cilësi e sidomos shpejtësi. Mendoj se ngjajmë në fushë, por edhe jashtë saj ku jemi miq të mirë.

Çfarë do t’i thoni përpara derbit?

Asgjë në fushë jemi armiq, por pas 90-minutash përsëri miq të mirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat