Shehu: Arbitrat gabojnë me telekomandë

Futboll

Shehu: Arbitrat gabojnë me telekomandë

Më: 21 mars 2021 Në ora: 23:35
Shehu: Arbitrat gabojnë me telekomandë

Gabimet e gjyqtarëve janë kthyer në një fenomen të zakonshëm në kampionatin shqiptar, por një pjesë e tyre nuk vijnë rastësisht, por si pasojë e urdhërave që vijnë ndaj këtyre gjyqtarëve.

Avokati Fation Shehu shpjegoi në “Rubrika Sportive” se pse intervista e dhënë pak ditë më parë nga ish-gjyqtari Lorenc Jemini hidhte dritë mbi atë botë të errët që është krijuar rreth “xhaketave të zeza” ku promovohen ata që gabojnë sipas urdhrave.

“Intervista e Jeminit është një nga dëshmitë më të guximshme të kastës së arbitrave. Ne e njohim realitetin, por kur vjen dëshmia nga ky komunitet, fakton atë që kemi thënë por janë paragjykuar.

Fjalët e tij janë të bazuara në fakte, si për shembull që nuk ka zgjedhje për drejtuesit, që janë drejtues që punojnë në disa pozicione brenda FSHF dhe tregojnë që nuk ka pavarësi, arbitrat si shoqatë dhe Federata që është një grup interesi i caktuar. Pastaj Jemini fliste edhe për presionin ndaj tij që do ta hiqnin nga vëzhgues nëse nuk do të bënte moviolën që dëshironin. Kjo është edhe më e rëndë.

Do të ishte e shëmtuar që t’u hidhej hi syve duke e bërë të bardhën të zezë. Arbitrat janë keqpërdorur nga persona pa pikë integriteti sepse ata gabojnë në fushën e lojës. Por të kamuflosh atë që shihet me sy, është edhe më e rëndë, se mundohesh të manipulosh mendimin e njerëzve.

Në mesjavë në Kupë e pamë se çfarë arriti të bëjë arbitri dhe do të ishte më e ndershme të protestonin futbollistët, se po u hiqet djersa e haku në fushën e lojës.

Nga ana tjetër është më e rëndësishme të veprohet në formë tjetër ndaj këtyre arbitrave, se është e dëmshme që ti lufton me mundësitë që ke e të heq atë që meriton. Imagjinoni një lojtar 18 vjeçar se sa i demoralizuar mund të ndjehet, kur e sheh se jep maksimumin e nuk bën dot asgjë.

Sepse arbitrat gabojnë me telekomandë, nuk po flasim për gabime njerëzore, në mënyrë të hapur e të guximshme, me vetëkënaqësi. I sheh që gabojnë, buzëqeshin e promovohen. Në këto rrethana çfarë mund t’u kërkosh trajnerëve, presidentëve e klubeve?

Kastrioti është një klub që nuk ka mundësi të shkojë në Europe dhe paratë e sponsorëve janë të humbura. Duhen falënderuar që investojnë në sport, e mbajnë gjallë qytetin, të vijnë arbitrat e i penalizojnë, është më të vërtetë që duhet ngritur zëri edhe më shumë se kaq”, tha Shehu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat