Begolli: Fitorja ndaj Lituanisë do të ishte e mirëseardhur, këta lojtarë duhet të zëvendësojnë Muricin dhe Rrahmanin

Futboll

Begolli: Fitorja ndaj Lituanisë do të ishte e mirëseardhur, këta lojtarë duhet të zëvendësojnë Muricin dhe Rrahmanin

Më: 24 mars 2021 Në ora: 13:17
Granit Begolli

Kombëtarja e Kosovës në futboll sot luan ndeshjen e parë në vitin 2021.

Kosova sonte do të përballet me Lituaninë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me fillim nga ora 20:45, në kuadër të dueleve miqësore.

Ish futbollisti i njohur, tani analist, Granit Begolli thekson se ndeshja ndaj Lituanisë nuk do të jetë e lehtë, ndërsa shpreson që Kosova të tregojë lojë të mirë, pas disa rezultateve negative në takimet e fundit.

“Nuk është e lehtë për t’u rikthyer tek fitoret për shkak se po kalojmë një krizë rezultatesh dhe kundërshtari që e kemi përballë nuk është i lehtë. Lituania nuk është një kombëtare e dobët, ashtu siç po paraqitet dhe mendoj që do të jetë një ndeshje e vështirë – duke ia shtu kësaj që e kemi mendjen tek dy ndeshje mjaft të vështira kualifikuese ndaj Suedisë dhe Spanjës. Dihet niveli i këtyre kombëtareve, por shpresojë që Challandes ta provojë ekipin sonte, për të kuptuar se si do të paraqitet në këto dy takimet e radhës”, tha fillimisht Begolli.

Ai mendon se sonte rezultati mund të jetë në plan të dytë – megjithatë thotë se në rast se fitojmë, atëherë kjo do të shërbente shumë që të rritet vetëbesimi dhe morali tek lojtarët e kombëtares, para dy ndeshjeve mjaft me rëndësi ndaj Suedisë dhe Spanjës.

“Pas rezultateve të dobëta, për ta ngrit moralin e skuadrës dhe për t’i dhënë vetëbesim, mendoj që fitorja do të ishte një rezultat i mirë para dy ndeshjeve dhe mendoj që çdo rezultat tjetër nuk do të ishte pozitiv për ne para takimeve tjera. Normalisht që humbja është zhgënjim, nuk diskutohet – ndërsa barazimi varësisht se si do të shkojë ndeshja, por shpresojë që sonte të kemi një paraqitje të mirë – të bindim me lojë dhe rezultati të jetë në plan të dytë – pasi takimi është miqësor. Sigurisht që fitorja do të ishte e mirëseardhur, kurse çdo rezultat tjetër (edhe pse është në plan të dytë rezultati) nuk do të ndikojë mirë, për shkak se në futboll thotë shumë vazhdimësia e rezultateve pozitive dhe pse jo ta nisim mirë dhe të kemi moralin lartë për dy ndeshje shumë të rëndësishme”, vazhdoi ai.

Në fund, Begolli komentoi edhe mungesën e Amir Rrahmanit dhe Aro Muricit, njëri për arsye dëmtimi – e i dyti për arsye disiplinore.

“Sigurisht që do të ndikojë keq mungesa e Amir Rrahmanit dhe Aro Muric, kur dihet se të dy janë startues dhe kanë luajtur pothuajse të gjitha ndeshjet e fundit me Kosovën dhe janë dy pika të rëndësishme. Është shumë vështirë të gjinden zëvendësuesit e tyre në këtë grumbullim të kombëtares që kemi. Shpresojë që Dresevic dhe Bekaj duhet të startojnë, pasi kanë pas paraqitje me klubet e tyre, besoj që ata do ta shfrytëzojnë këtë mungesë të këtyre dy futbollistëve. Kombëtarja është diçka e madhe dhe duhet të luajmë me të gjitha “kartat” që i kemi në dispozicion”, përfundoi Begolli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat