Amatorë dhe tregtarë makinash

Futboll

Amatorë dhe tregtarë makinash

Më: 25 mars 2021 Në ora: 13:26
Amatorë dhe tregtarë makinash

Anglia do të përballet sot me një kundërshtar inferior, San Marinon, ku lojtarët marrin pjesë në futboll amator, që nuk kanë luajtur prej katër muajsh, por që nuk luajnë prej masave anti-COVID. Në specialen që “The Sun” i ka kushtuar San Marinos, shkruhet se kundërshtari i sotëm i Anglisë ka në përbërje një tregtar makinash të përdorura apo punonjës të një zyre grafike, që stërviten 3-4 herë në javë.

Mesfushori Lorenzo Lunadei, 23 vjeç, i cili punon për një tregtar makinash në Itali, tha: “Ne jemi nervozë dhe të gëzuar. Jemi nervozë, sepse do të përballemi me një ekip të shkëlqyeshëm. Ne filluam të luanim disa javë më parë sepse kampionatet amatore në Itali dhe San Marino u ndaluan nga qeveria për shkak të pandemisë. Për këtë arsye, edhe pse jemi stërvitur individualisht deri në shkurt, duhet të luajmë tri ndeshje kualifikuese brenda një jave.

Kur kam nevojë të udhëtoj me ekipin kombëtar, më duhet të përdor ditët që kam në dispozicion nga pushimet vjetore të punës.

Gjithsesi, jam i lumtur që e bëj, pasi është pasioni im. Unë kam punuar si tregtar makinash për dy vjet. Zgjohem në 7:30 të mëngjesit, pastaj lëviz në zyrën ku punoj deri në orën 19:00 me një pushim të vogël dreke në mes. Nëse kam stërvitje, nuk kthehem në shtëpi deri në orën 22:00”.

Ndërsa sulmuesi Mateo Vitaioli, 31 vjeç, u shpreh: “Ne stërvitemi tri ose katër herë në javë në mbrëmje, sepse të gjithë kanë një punë.

Normalisht fillojmë pas orës 19:00 deri në 21:30. Unë punoj për një nga kompanitë më të mëdha në San Marino që prodhon paketim. Punoj në një zyrë grafike nga ora 8:30 deri në orën 17:30. Kam filluar të punoj këtu shtatë vjet më parë dhe është mjaft e komplikuar kur duhet të udhëtojmë jashtë vendit.

Jam me fat sepse kompania ime kurrë nuk është ankuar për aktivizimin me kombëtaren, por disa prej shokëve të mi te San Marino, u është dashur të tërhiqen nga ndeshjet ndërkombëtare jashtë vendit për shkak se nuk merrnin leje nga puna. Jemi vërtetë të gëzuar, pasi për disa lojtarë do të jetë hera e parë që shkojnë në Londër. Unë do të jem në Uembli për herë të tretë në karrierën time”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat