Teuta kërkon shkëputjen në krye

Futboll

Teuta kërkon shkëputjen në krye

Më: 9 prill 2021 Në ora: 20:00
Teuta kërkon shkëputjen në krye

Fitorja me Laçin e ngjiti Teutën në krye të renditjes, ndonëse me pikë të barabarta me Vllazninë, ndërsa kjo fundjavë ka rezervuar një ndeshje të lehtë të letër për “djemtë e detit’ që do të synojnë shkëputjen të vetëm në majë.

Skuadra e drejtuar nga Edi Martini do të përballet me Apoloninë në stadiumin “Loro Boriçi” të Fierit, ekip që pozicionohet në vendin e fundit të renditjes dhe ka shanse minimale për të mbijetuar në elitën e futbollit shqiptar.

Fierakët do të luajnë një nga shanset e fundit për të mbajtur gjallë shpresat që matematika u ka dhënë për të mbijetuar në elitë, ndaj do të provojnë t’i ndalin vrullin Teutës, ndonëse nuk do të jetë aspak e lehtë.

Për këtë transfertë trajneri Edi Martini nuk do të ketë në dispozicion tre futbollistë, mbrojtësin anësor Kouros, mesfushorin brazilian Iran Junior dhe sulmuesin Ildi Gruda, të tre të dëmtuar dhe që munguan edhe ndaj Laçit të shtunën e kaluar.

Tekniku shkodran pritet t’i besojë të njëjtës 11-she me të cilën mposhti kurbinasit, teksa synimi është marrja e tre pikëve për të nisur shkëputjen në krye të renditjes, duke përfituar edhe nga sfida direkte mes Laçit dhe Vllaznisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat