Imami kthen kokën pas

Futboll

Imami kthen kokën pas

Më: 20 maj 2021 Në ora: 11:55
Imami kthen kokën pas

Eni Imami ka qenë një nga të besuarit e Tomas Brdariç këtë sezon, ku me Vllazninë po synon deri në fund titullin kampion. Në një intervistë me gazetaren Klevisa Alinani në “Fax Sport”, futbollisti shqiptar rrëfehet gjerë e gjatë. Imami tregon për objektivat e kuqebluve, ndërsa më pas kthen kokën pas për të komentuar atë entuziasëm aq të madh në radhët e shkodranëve në momentin kur kishin siguruar një shkëputje prej 9 pikësh në krye të tabelës.

Objektivi

“Objektivi kur firmosa në fillim ishin Kupat e Europës. Me 99% ne jemi brenda objektivit. Na duhet vetëm një pikë në këto dy ndeshje për ta siguruar automatikishit, pasi dihet që në finalen e Kupës Korça me atë dënim që ka normalisht hyn vendi i katërt. Por ndeshja me Partizanin sigurisht që është finalja e parë nga 3 që kemi. Urojmë të dalim me kokën lart“.

Më tepër frikë Parizanin apo Laçin?

“Të them të drejtën pak më shumë frikë, duke parë formën e mirë që po shfaq Partizani, do të thoja Partizani. Është kjo finalja e parë dhe duhet pasur kjo pak më shumë frikë. Duhet menduar për këtë se sa për Laçin“.

Mentaliteti gjerman i Brdariç

“Mentalitet gjerman do të thotë që ne luajmë deri në minutën e fundit, pasi gjermanët e kanë këtë gjë, deri kur i bie bilbilit arbitri. Ka pasur shumë raste që ne jemi nderuar dhe i kemi fituar ndeshjet në frymën e fundit. Fati ndihmon gjithmonë më të mirët. Përderisa ne kemi qenë më të mirët… Këtë e di gjithë Shqipëria, kemi bërë futbollin më të bukur këtë vit dhe sigurisht fati ka qenë me ne“.

Entuziasmi i tifozëve

“Entuziasmi dhe të gjitha janë. Por atëherë sikur u teprua pak, sepse ishte vetëm java e 10 dhe kishte edhe 26 javë të tjera. Unë nuk kam pasur asnjëherë të thoja ‘ej, çfarë po bëni?’, por që ajo ishte diçka që nuk më dukej normale. Ne futbollistët kemi atë ndjenjën e vetëkënaqësisë, do apo s’do na hipën vetja në qejf. Kur sheh jashtë që rrethohesh thua me vete ‘dola kampion’. Të ishim me këmbë në tokë ne futbollistët do ishin akoma në vend të parë edhe sot dhe me diferencë pikësh. Është disi e pafalshme, ishim 9 pikë përpara dhe më vjen jashtë mase shumë keq”.

Tirana dhe Kukësi jashtë Europës

“Për të dyja më vjen keq, sepse kam kaluar shumë mirë te të dy ekipet. Nuk mund ti ndaj. Edhe Kukësi ka qenë 10 vjet rresht pjesëmarrës në Kupat e Europës dhe më vjen pak keq. Më duket pak çudi. Kurse për pjesën e Tiranës e prishi vetë, kishte alamet ekipi”.

Kampionati i këtij vit

“Është një nga kampionatet më të bukura. Unë kam 10 vjet në Superiore dhe ka qenë një nga kampionatet më të bukura, ku deri në javën e fundit nuk dihet kush do e fitojë. Me gjithë respektin bravo i qoftë edhe ekipeve që kanë qenë në fund të tabelës, sepse edhe atje është një luftë shumë e fortë. Ndër vite kemi parë që ekipet që kanë rënë matematikisht nuk kanë luajtur futboll. Por sivjet me të vërtetë ka qenë kampionat i bukur”.

E ardhmja

“Kam disa oferta. Mund të rinovoj edhe me Vllazninë. Por për momentin e kam mendjen vetëm te këto dy ndeshje, janë 10 ditë. Kam oferta brenda dhe nga jashtë. Disa kontakte, nuk do të thoja oferta. Jashtë është dëshira ime. Çdo futbollist dëshiron të luajë jashtë Shqipërisë”.

Titulli

“Nëse nuk do e fitonim ne do ia uroja me gjithë shpirt Partizanit“, ka thënë Eni Imami.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat