Bërdariç: E dimë si duhet të luajmë nesër

Futboll

Bërdariç: E dimë si duhet të luajmë nesër

Më: 20 maj 2021 Në ora: 13:14
Bërdariç: E dimë si duhet të luajmë nesër

Tomas Bërdariç ka folur para mediave për ndeshjen që Vllaznia e tij ka nesër ndaj Partizanit. Tekniku i kuqebluve kërkon nga të tijtë që të luajnë me guxim, ndërsa shton se nuk kanë asgjë për të humbur dhe do të mendojnë vetëm për tre pikët.

“Një ndeshje e rëndësishme, si të gjithë ndeshjet e tjera. Objektivi ynë janë tre pikët. Jemi të bindur dhe besim plotë në këtë situatë. Nuk kemi asgjë për të humbur, duam të fitojmë këtë ndeshje. E kemi fituar kampionatin tonë, pasi kemi zhvilluar një sezon shumë të mirë. Nesër do të shkojmë për fitore ndaj Partizanit.

Skuadra? Unë e vlerësoj ekipin në disa aspekte. Bëjmë një punë profesionale për të marrë atë që duam dhe për të qenë të suksesshëm. Është një garë, nesër luajmë ndeshjen e 35. Kemi investuar shumë, jemi të kënaqur me pozicionin që kemi. Duhet ta kemi të qartë që nesër na pret një betejë e madhe dhe e vështirë, por duhet ta vazhdojmë këtë rrugëtim të mirë. Ekipi im ka mësuar shumë nga ky sezon.

Partizani? Nesër do të përballen dy ekipe që kanë nga 62 dhe 60 pikë. Kjo është diçka e veçantë. Të dy ekipet janë të forta, ka rëndësi të madhe të shfrytëzosh potencialin tënd. Do të jetë një duel i balancuar, kush do e meritojë dhe do të ketë më tepër fat, do të marrë tre pikët. Ekipi im është i përgatitur mirë, e dimë se si duhet të luajmë nesër. Jemi në formën më të mirë dhe mendoj se do të shkojmë për më të mirën.

Partizani ndodhet në krye, janë ekip i fortë, e dimë. Nesër do të jetë një ndeshje e hapur. Duhet të guxojmë dhe të punojmë shumë, në mënyrë që t’i surprizojmë të gjithë duke fituar ndeshjen. E kemi analizuar Partizanin në ndeshjet e fundit. Ata e meritojnë kryesimin, kanë lojtarë të mirë dhe me eksperiencë, trajnerin e kanë me goxha eksperiencë.

E njëjta situatë është edhe te Vllaznia, nuk mbetemi mbrapa për sezonin që kemi bërë. Uroj ta shijojmë këtë ndeshje me një rezultat pozitiv, por na duhet edhe fat. Asnjë humbje me Partizanin këtë sezon? Po, ky është një avantazh për ne, por nesër do jetë një ndeshje tjetër.

Duhet të shprehim aftësitë tona, të luajmë me stilin tonë dhe t’ia bëjmë të vështirë Partizanit. Kemi shanset tona për të fituar, kështu që le të tregojmë fytyrën tonë më të mirë dhe të përballim forcat me ta.

Imami luajti shumë mirë në ndeshjen e fundit. Ai ka vuajtur, pasi ka qëndruar në pankinë ndeshjet e fundit. Nuk ka qenë e thjeshtë as për mua të ul në stol një lojtar me eksperiencë. Ka raste kur nuk i shpjegon dot vendimet në futboll, nuk mund të luajnë 22 futbollistë në fushë. Ka qëndruar pozitiv, ka punuar mirë. Sigurisht që është trishtuar disi, por ka reaguar në mënyrën më të mirë. Kam besim tek ai, do luajë mirë në vendin e Isaevskit.  

Titulli mbyllet nesër? Nuk më takon mua, pas ndeshjes mund të vlerësojmë më mirë situatën. Ta lëmë surprizë. Kemi kaluar shumë sfida këtë sezon, le ta shijojmë ndeshjen nesër. E kemi merituar këtë pozicion ku jemi dhe le të luftojmë deri në momentin e fundit.

Analiza e gjithë sezonit kërkon më shumë se një konferencë të shkurtër. E kemi nisur nga zero në verë, grumbulluam shumë lojtarë dhe sot jemi këtu. Kemi bërë një sezon të mirë, kemi punuar mirë me të gjithë lojtarët. Unë jam përgjegjës, por të gjithë në këtë klub kanë bërë një punë madhështore. Le të presim edhe pak që t’iu jap përmbajten e duhur, për të parë se çfarë kemi arritur”, u shpreh Bërdariç.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat