Agjenti i Hysajt tregon se janë në bisedime me disa klube

Futboll

Agjenti i Hysajt tregon se janë në bisedime me disa klube

Më: 24 maj 2021 Në ora: 19:41
Elseid Hysaj

Elseid Hysaj ka filluar t’i numërojë ditët e fundit si futbollist i gjiganti italian Napoli.

Mbrojtësi shqiptar po kalon momentet e fundit te Napoli, pasi më 1 qershor del si futbollist i lirë pasi i skadon kontrata me klubin napolitan.

E ardhmja e shqiptarit është ende e paqartë, pasi me Napolin nuk ka kontakte për një marrëveshje të re.

Agjenti i futbollistit shkodran, Mario Giuffredi ka folur për të ardhmen e tij, duke konfirmuar se është në bisedime me disa klube.

Por ai nuk e ka përjashtuar nga gara Napolin, pasi ka thënë se nëse klubi italian i kontakton mund të ulen dhe të bisedojnë për një kontratë të re.

“Unë nuk kam marrë ndonjë ofertë nga Napoli për rinovim deri më tani. Në këtë situatë, kam diskutuar me klube të tjera. Ndoshta presidenti na kontakton pas ndeshjes së fundit në kampionat me Veronën. Qëllimi ka qenë të presim fundin e kampionatit”.

“Nuk është vendosur ende cili do jetë trajneri. Ne nuk kemi nënshkruar me asnjë klub, nëse marrim një ofertë do e vlerësojmë, madje edhe nga Napoli. Nuk e përjashtoj një qëndrim te Napoli”, deklaroi agjenti Giuffredi.

Hysaj ka gjashtë vite që është pjesë e Napolit, kur në vitin 2015 iu bashkua nga Empoli për pesë milionë euro.

Ylli shqiptar këtë edicion ka zhvilluar 28 ndeshje me klubin italian, ku ka bërë edhe tre asistime.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat