Maqedonia në Bukuresht

Futboll

Maqedonia në Bukuresht

Më: 8 qershor 2021 Në ora: 11:22
Maqedonia në Bukuresht

Përfaqësuesja e Maqedonisë në futboll mbylli përgatitjet para debutimit në Kampionatin Evropian, ndërsa sot ekspedita e Maqedonisë u drejtua kah Bukureshti, ku do vazhdojë me përgatitjet para sfidës së parë me Austrinë, më 13 qershor.

Të gjithë futbollistët ishin me një kod tjetër të veshjes, pak më solemn, për të nderuar eventin e madh evropian.

Para largimit nga hoteli, presidenti i FFM-së, Muamed Sejdini, u dëshiroi sukses futbollistëve, duke potencuar se ai dhe FFM-ja, do të jenë me to gjatë tërë eventit evropian.

Ndryshe plot 2 javë, futbollistët kaluan në përgatitje në Shkup, ndërsa tani të kompletuar udhëtuan drejt Rumanisë. Igor Angelovski në dispozicion ka të gjithë 26 futbollistët, të cilët i kishte në listën e lansuar një muaj më parë, pasi që këtë fundjavë edhe Enis Bardhi iu bashkua grupit. Pas testimeve të fundit, asnjëri prej ekspeditës nuk rezultoi pozitiv.

Kampi përgatitor i Maqedonisë do të jetë Bukureshti dhe stadium i Steauas, ndërsa prej aty do të vazhdojë përgatitjet dhe do të zhvillojë dy ndeshje (Austrinë më 13 qershor dhe Ukrainën 17 qershor)

Më vonë, më 21 qershor ekspedita e Maqedonisë do të kalojë në Amsterdam për sfidën e tretë, ndaj Holandës. Në rast të kualifikimit në raundin e dytë, Maqedonia rikthehet në Bukuresht ose do të niset në Budapestë ose Londër.

Në aeroportin e Shkupit, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, u përshendet me futbollistët dhe u dëshiroi sukses, ndërsa presidenti i FFM-së dhe vet FFM-ja faleminderoi kryeministrin për fjalimin inkurajues dhe përkrahjen para shkuarjes për në Rumani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat