Durrësi shpallet kampion i moshës U-15

Futboll

Durrësi shpallet kampion i moshës U-15

Më: 1 korrik 2021 Në ora: 13:00
Durrësi shpallet kampion i moshës U-15

Është zhvilluar ndeshja finale në turneun e ekipeve përfaqësuese rajonale për moshën U-15, ku fitues ka dalë ekipi i Durrësit pasi ka mundur me rezultatin 3-2 Korçën.

Dy skuadrat zhvilluan një ndeshje mjaft të mirë, me korçarët që kaluan fillimisht në avantash me Rei Mangën në minutën e 25-të të takimit. Një minutë më pas, durrsakët gjejnë rrugën e rrjetës, duke barazuar rezultatin me Mariglen Dacin. Pas këtij goli, bregdetarët dominojnë totalisht pjesën e mbetur të pjesës së parë, duke kaluar në epërsi në minutën e 35-të të takimit me Alikajn, ndërsa dy minuta para përfundimit të pjesës së parë, Alikaj trefishon rezultatin.

Në fraksionin e dytë të lojës, korçarët afrohen disa herë pranë portës durrsake, duke krijuar disa raste për gol, derisa në minutën e 75-të të takimit, Mano ngushton rezultatin, por pa ndryshuar dot fatin e lojës. Mbaron gjithçka me  rezultatin final 3-2 në favor të Durrësit, të cilët shpallen fitues të këtij edicioni për këtë grupmoshë.

Ish-lojtari i ekipit Kombëtar, njëherazi edhe specialist pranë Sektorit të Ekipeve Kombëtare në FSHF, Sulejman Mema i dorëzoi në përfundim të lojës trofeun e kampionëve nën 15 vjeçarëve durrsakë.

Durrësi vinte në këtë finale pasi kishte mundur në fazën e parë të turneut fillimisht Shkodrën, me rezultatin e ngushtë 2-1 dhe më tej Lezhën me shifrat 3-1.

Ndërkaq, ekipi përfaqësues rajonal i Korçës, kishte mundur në sfidën e parë të turneut ekipin e Gjirokastrës 3 – 0 dhe më pas mposhti ekipin e Fierit pas penalltive me kohën e rregullt që u mbyll në barazim 1 – 1.

Turneu i ekipeve përfaqësuese rajonale për moshat U-13, U-14 dhe U-15 ka nisur të luhet që në datën 21 qershor.

Ky turne, që zhvillohet çdo vit, ka si synim evidentimin e talenteve të reja që janë pjesë e kampionateve rajonale të organizuara nga FSHF-ja si dhe vëzhgimin e tyre nga stafi i ekipeve Kombëtare në FSHF.

Formacioni i Përfaqësues Rajonale Korçë U-15:

Murati, Manga, Laze, Gora, Spahiu, Grazhdanji, Jançe, Zaçellari, Pengu, Bektashi, Zenelagu.

Formacioni i Përfaqësues Rajonale Durrës U-15:

Mane, Alikaj, Celmeta, Metini, Xhafkollari, Arifi, Nderjaku, Xhani, Deda, Ndraci, Bajramaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat