Riaktivizohet turneu përkujtimor ‘Rama - Domi’! Fabian Veseli dhe Arbon Desku marrin konfirmimet

Futboll

Riaktivizohet turneu përkujtimor ‘Rama - Domi’! Fabian Veseli dhe Arbon Desku marrin konfirmimet

Nga: Kemajl Goca Më: 22 korrik 2021 Në ora: 16:03
Riaktivizohet turneu përkujtimor ‘Rama - Domi’! Fabian Veseli dhe Arbon Desku marrin konfirmimet

Pas shumë vitesh rikthehet në skenë turneu përkujtimor “Rama – Domi’ në futboll. 

Turne që u la në harresë me vite të tëra dhe që tani po rikthehet në skenë, padyshim se po shkakton emocione të pafundme.
Vetëm kanë mbetur edhe disa detaje dhe gjithçka do të zyrtarizohet nga organizatorët.

E kush tjetër iniciator, Arbon Desku, njeriu që i pari e nisi këtë turne në vitet e 90-ta dhe sërish është ai po i prin këtij procesi, me synime të qarta, që të fuqizojë këtë turne.

Burimet tona bëjnë të ditur, se sot në Gjakovë, presidenti i klubit të Dukagjinit të Klinës, Fabian Veseli, së bashku me iniciatorin, Arbon Desku (ish president i KF Dukagjinit, ish drejtor dhe ish nënkryetar i KF Prishtina), kontribues i madh në futboll dhe në sportin në përgjithësi në kohën e okupimit dhe në vitet e pasluftës, u takuan sot në mesditë me familjarët e të ndjerit Faton Domi dhe me presidentin e KF Vëllaznimi, Besnik Gojani.  

Presidenti i KF Dukagjinit, Veseli, ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm, duke marrë përsipër organizimin e turneut përkujtimor për këtë vit, pastaj do të shkojë me rotacion sipas marrëveshjes së klubeve të mëdha, Prishtinës, Vëllaznimit nga Gjakova dhe Lirisë nga Prizreni.  
Veseli e Desku morën pëlqimin nga familja Domi. 

Desku njofton se pëlqimin e ka marrë sot edhe nga bashkëshortja e Favzi Ramës, Shpresa. Bashkëshortja e të ndjerit Favzi Rama, Shpresa, është e emocionuar që pas një kohe po riaktivizohet turneu përkujtimor ‘Rama – Domi’.

“Me të vërtetë u befasova për të mirë, është dashtë me u mbajt vazhdimisht dhe jo me mbet në heshtje që një kohë të gjatë. 

E falënderoj iniciativën që e kanë marrë për me rikthyer turneun, shpresoj se do të mbahet tash e pas çdo vit ashtu si pat filluar në vitet e 90-ta, edhe pse klubi i Prishtinës kurrë nuk e ka marrë mundin me organizuar turneun, kur dihet se Rama dhe Domi pjesën më të mirë si lojtarë e kanë kaluar në KF Prishtina. Nuk e di pse Prishtina nuk e ka organizuar turneun”, tha Shpresa Rama për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Ndërkohë, edhe KF Liria me drejtorin sportiv Erxhan Dana, konfirmojnë përkrahjen dhe pjesëmarrjen në turne gjithashtu edhe Vëllaznimi.

Në ditët në vijim Veseli dhe iniciatori Desku, do të takohen edhe me drejtuesit e FC Prishtina për të konfirmuar pjesëmarrjen, pastaj edhe me kryetarin e FFK-së, për zyrtarizim e turneut.

Turneu do të futet në kalendarin zyrtar të FFK-së, do të organizohet çdo vit (tradicionalisht) ashtu si i ka hije për dy emra të mëdhenj ë futbollit, Favzi Rama dhe Faton Domi, që humbën jetën me 22 nëntor të vitit 1987 në fshatin Volljakë të Klinës, pas ndeshjes në Prizren mes Lirisë dhe Vëllaznimit.

Rama ka luajtur me vite të tëra për Prishtinën në Ligën e Parë dhe të dytë ish jugosllave, para aksidentit tragjik në Lirinë e Prizrenit, ndërsa Faton Domi po ashtu me vite të tëra në KF Prishtina (liga e parë dhe liga e dytë ish jugosllave) dhe së fundit në Vëllaznimin e Gjakovës (1987). Emra që i dhanë shumë Prishtinës e Gjakovës dhe futbollit në përgjithësi të Kosovës. që bënë krenarë tërë popullin shqiptar jo vetëm të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat