Buffoni: Ëndërroj Botërorin e Katarit

Futboll

Buffoni: Ëndërroj Botërorin e Katarit

Më: 26 korrik 2021 Në ora: 11:20
Buffon

Ndonëse në moshën 43-vjeçare, Gigi Buffoni nuk ka ndërmend të “varë dorezat në gozhdë”, pasi është rikthyer te Parma me qëllim që të sjellë sërish emilianët në Serinë A, por në një intervistë për mediat italiane nuk e fsheh as synimin madhor për të qenë pjesë e Italisë në Botërorin e Katarit vitin e ardhshëm.

“Mançini ka bërë diçka të jashtëzakonshme dhe për këtë meriton elozhe e komplimente. Unë jam 43 vjeç dhe për respekt të punës së trajnerit, nuk do të kandidohem asnjëherë, por Botërori më shërben për të ëndërruar, në të kundërt pse duhet të vazhdoj të luaj. Është thuajse e sigurt që Mançini nuk do të më grumbullojë dhe me të drejtë, pasi ka tashmë lojtarët e tij, por unë duhet të mendoj që kam një Botëror përpara, në mënyrë që të motivohem edhe më shumë”, u shpreh portieri legjendar italian.

Ish-shoku i Buffonit te Juventusi, Federico Chiesa, ishte një nga protagonistët e suksesit të Italisë në Kampionatin Evropian, ndërsa gardiani 43-vjeçar pranon se fillimisht ka qenë skeptik për aftësitë e sulmuesit anësor. “Donnarumma dhe Chiesa ishin pa diskutim dy nga elementët më të spikatur të kësaj Italie. Kur Fede erdhi te Juve një vit më parë, nuk e mendoja se ishte kaq i fortë, por një vit aty i shërbeu për t’u rritur shumë. E patë ndaj Anglisë, që kur merrte topin, nuk e ndalte dot askush. Tregoi veten në një kompeticion të rëndësishëm, aty ku shumë futbollistë nuk ia dalin t’i nxjerrin në pah aftësitë e tyre”, ka shtuar Buffoni.

Sezonin e fundit te Juventusi, Giggit iu desh të punojë me Andrea Pirlon trajner, një ish-shok skuadre që u kritikua jo pak në aventurën e tij të re në pankinë, megjithatë Buffoni e merr në mbrojtje dhe vlerëson punën e tij.

“Përveç 3-4 muajve të parë, ku natyrisht pati disa vështirësi në menaxhimin e situatave, Pirlo u përshtat më pas shumë mirë dhe ishte një trajner i mirëfilltë. Mund të them se bëmë një sezon mjaft pozitiv, ndonëse vinim pas nëntë titujsh kampion radhazi dhe natyrisht që pritshmëritë ishin më të mëdha”, u shpreh Buffoni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat