Kane stërvitet me grupin

Futboll

Kane stërvitet me grupin

Më: 21 gusht 2021 Në ora: 11:33
Kane stërvitet me grupin

Pas startit mjaft të bukur, me fitoren minimale 1-0 ndaj kampionëve në fuqi të Manchester City-t, Tottenham do të përballet këtë të diel me Wolverhampton në transfertën, ndërsa trajneri Nuno Espirito Santo zbuloi se mesfushori Tanguy Ndombele nuk do të grumbullohet.

Futbollisti për të cilin “spurs”-at paguan 60 milionë euro dy vite më parë, ka vuajtur jo pak si nën drejtimin e Pochettinos, ashtu edhe të Jose Mourinhos sezonin e kaluar, teksa edhe këtë verë po përsërit kërkesën për t’u larguar nga Londra.

“Dua të tregohem i sinqertë, Ndombele nuk do të grumbullohet as për ndeshjen e të dielës, pasi nuk po punon si duhet. Ne kemi nevojë vetëm për lojtarë që janë të përqendruar 100% në stërvitje e ndeshje dhe Ndombele për momentin nuk bën pjesë në atë grup”, deklaroi tekniku portugez.

Një tjetër futbollist që është në dyshim për transfertën ndaj Wolves, është edhe kapiteni Harry Kane, i cili është stërvitur me ekipin, por shpreson ende në një transferim te Manchester City dhe nuk ndihet ende gati të kontribuojë për Tottenhamin.

“Kane është stërvitur me ekipin sot dhe e kam parë goxha mirë. Nesër kemi një tjetër seancë dhe vetëm pas saj do të vendosim nëse do të vijë me ne për ndeshjen me Wolves apo jo. Për sa kohë që stërvitet me ne dhe është pjesë e Tottenhamit, unë natyrisht që e kam në konsideratë.

Po flasim për një sulmues të madh dhe kapitenin tonë, i cili është i rëndësishëm edhe kur nuk është në formën më të mirë”, tha trajneri Espirito Santo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat