Barcelona ndeshet me Bilbaon

Futboll

Barcelona ndeshet me Bilbaon

Më: 21 gusht 2021 Në ora: 11:34
Barcelona ndeshet me Bilbaon

Jeta pa lojtarin më të famshëm të gjithë historisë së klubit filloi në mënyrën më të mirë të mundshme përsa i përket rezultatit dhe Barcelona ia doli mbanë për të mposhtur 4-2 ekipin e Real Sociedad-it brenda në “Camp Nou”, në takimin hapës të edicionit të 91 të ligës spanjolle. Të vetmet nota negative u regjistruan në tribunat e “Tempullit të Barçës”.

Nga shkallët e stadiumit më të madh të “Kontinentit të Vjetër” ishin të shumtë ata që ngritën zërin kundër presidentit aktual të klubit “blaugrana” Joan Laporta, në lidhje me pozicionimin e tij dhe politikën e ndjekur në zgjidhjen e çështjes Messi, ndërsa në minutën e dhjetë tifozët e pranishëm në “Camp Nou” brohoritën dhe kujtuan gjatë me koret e tyre sulmuesin e famshëm argjentinas.

Tani radhën e ka një tjetër kundërshtar nga Vendet Baske dhe bëhet fjalë për ekipin e Athletic Bilbao-s, që të hënën në mbrëmje në Provincën e Alikantes në Komunitetin Valencian në Stadiumin “Manuel Martinez Valero” nuk shkoi përtej barazimit 0-0 në duelin me Elche-n.

Trajneri Marcelinho Garcia Toral ka ruajtur po të njëjtin kontigjent futbollistësh dhe bardhekuqtë kanë një skuadër që mund të bëjë mirë në këtë edicion të ligës spanjolle. Sezonin e kaluar “luanët” e Marcelinho-s e mbyllën me tre humbje radhazi, duke e përfunduar kampionatin në Primera Division në mesin e tabelës së renditjes, më saktë në vendin e dhjetë, në kuotën e 46 pikëve, pra plot 33 pikë poshtë Barcelonës, që grumbulloi thjesht 5 pikë në 4 takimet e fundit, duke humbur kështu betejën për titullin me dy klubet e Madridit Atletikon dhe Realin, për të mbyllur në këtë mënyrë aventurën në shkallën më të ulët të podiumit.

Në krahun e Barcelonës drejtuesit janë munduar të reagojnë, duke marrë masa, për të forcuar sadopak ekipin në merkato, natyrisht me ato mundësi ekonomike që ka për momentin klubi.

Vetë presidenti Laporta konfirmoi borxhin marramendës të klubit blaugrana, prej plot 1,15 miliardë eurosh, gjithsesi me blerjet e reja të lojtarëve të tillë si Sergio Aguero, Eric Garcia, Emerson dhe Memphis Depay skuadra katalanase duket se do të jetë në gjendje për të rivalizuar denjësisht si në kampionat ashtu edhe në kupë, për të kthyer në njëfarë mënyre ekipin te trofetë dhe klubin te lavdia që meriton.

Në Bilbao trajneri Koeman nuk do të ketë në dispozicion futbollistë si Marc – Andre ter Stegen, Ousmane Dembele, Ansu Fati, Sergio Aguero dhe Philippe Coutinho. Dy ekipet u përballën gjithashtu edhe në finalen e Copa del Rey-t, në Sevilla, ku Barcelona shënoi katër herë në gjysmë orën e fundit të takimit, për t’u kurorëzuar për herë të pestë në shtatë vitet e fundit me Kupën e Mbretit. Takimi Athletic Bilbao – Barcelona do të luhet në orën 22:00, në “San Mames”-in e ri dhe do të vijë ekskluzivisht në ekranin e Supersport 2.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat