Beshiraj duhet të mbahet shënim

Futboll

Beshiraj duhet të mbahet shënim

Më: 21 gusht 2021 Në ora: 11:47
Beshiraj duhet të mbahet shënim

Tirana e mbylli përballjen miqësore kundër Erzenit për të barazuar në shifrat 1-1.

Goli i vetëm për bardheblutë erdhi nga Mario Beshiraj dhe padyshim që autori i realizimit është një arsye që të kryeqytetasit mund të ndihen disi të lumtur. Deri në këto momente që flasim, Beshiraj është golashënuesi i kësaj faze përgatitore për Tiranën. Sulmuesi 21-vjeçar ka arritur që të tund pesë herë rrjetën kundërshtare, më shumë se gjithë shokët e tjerë të ekipit.

Kjo tregon më së miri urinë që ka Beshiraj për të dëshmuar vlerat e tij. Për më tepër që rasti në fjalë merr më shumë vlera pasi bëhet fjalë për një prodhim të akademisë së Tiranës. Pra Beshiraj vlen dy herë më shumë sesa thjesht një transferim i goditur nga jashtë, pasi është rritur në shkollën shqiptare të futbollit.

Gjithmonë lëvizjet e tij të shpejta kanë rrezikshmëri për kundërshtarin, por edhe aspekti fizik e ndihmon së tepërmi për të krijuar hapësirat në mbrojtjen e kundërshtarëve. Një tjetër veti e Beshirajt është goditja e topit me të dyja këmbët dhe tentimi nga çdo lloj këndi për të gjetur rrjetën.

Një sinjal i fortë ky që i dërgohet edhe Shehit, për t’i ardhur në shërbim me lëvizshmërinë e shumtë dhe shpejtësinë në manovrat sulmuese. Në kopshtin e preferuar të Tiranës, ku po rriten futbollistë që janë bërë të njohur për tregun shqiptar dhe atë europian, së fundmi ka çelur edhe një “lule e re”, Beshiraj. Si do të kujdeset Shehi për të që ta mbajë dhe të rritet? Mbetet të shohim!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat