Ibraimi prezantohet te Xanthi FC, falënderon familjen e madhe të KF Shkëndija

Futboll

Ibraimi prezantohet te Xanthi FC, falënderon familjen e madhe të KF Shkëndija

Më: 31 gusht 2021 Në ora: 17:50
Ibraimi prezantohet te Xanthi FC, falënderon familjen e madhe të KF Shkëndija

Tashmë ish-futbollisti i Shkëndijës, Besart Ibraimi, është lojtar i ri i skuadrës Xanthi FC nga Greqia.

Sulmuesi kërçovar është promovuar sot te klubi i ri, duke nënshkruar kontratë 1-vjecare me opsion vazhdimi. Ai kaloi nga Shkëndija te Xanthi FC.

Ai i ka thënë gazetarit Reshat Ibraimi se falënderon familjen Destani, në krye me z. Lazimin, Shkëndijën, Tetovën, Ballistët, trajnerët, futbollistët dhe të gjithë të punësuarit në klub, për përkrahjen gjatë viteve të kaluara në fanellën kuqezi.

Ibraimi është sulmuesi më i mirë i Shkëndijës i të gjitha kohërave, golashënuesi më i mirë në historinë e Shkëndijës.

Rikujtojmë që Besart Ibraimi skuadrës kuqezi iu bashkëngjit në vitin 2015 dhe gjatë kësaj periudhe për ekipin e Shkëndijës ka shënuar gjithsej 147 gola, duke e fituar kështu epitetin “Mbreti i golave”.

Postimi i Besart Ibraimit në Facebook:

Krenar që i shërbeva kësaj fanelle dhe i lumtur që dhash kontribut për sukseset e Shkëndijës

Pas aq shumë sukseseve e arritjeve të mëdha që do mbeten të shkruara me germa të arta në historinë e Shkëndijës dhe për të cilat unë gjithmonë do të jem krenarë, lamtumirën e kisha menduar më ndryshe edhe pse një ndarje asnjëherë nuk mund të ketë shije të mirë!

Kam shijuar maksimalisht çdo moment te Shkëndija, kam dhënë gjithçka nga vetja përherë dhe jam i vetëdijshëm se jo gjithmonë gjërat kanë ecur ashtu si kemi dëshiruar. Përkushtimi im ka qenë i njejtë edhe atëherë kur gjërat shkonin mirë, ashtu si në rastet kur fatkeqësisht rezultatet nuk ishin të duhurat.

I lumtur pa masë që në emrin tim dhe si futbollist i Shkëndijës mbeten të shkruara disa rekorde në nivel shtetëror, si golashënuesi më i mirë në historinë e futbollit vendor dhe si fitues i katërfishtë i çmimit “Golashënuesi më i mirë i vitit”.

Falemenderim deri te të gjithë për mbështetjen brenda këtyre viteve, mirënjohje e pafund për mbështetësit e Shkëndijës në krye me “Ballistët” që më dhuruan momente të paharruara.

Me këtë rast dua të përcjell konsideratat më të sinqerta deri te gjithë ata me të cilët bashkëpunova në Shkëndijë gjatë këtyre viteve, bashkojtarë, trajnerë, ekip mjekësorë, ekonomat, administratë, kryesi e kryetarë.

Mirënjohje e madhe dhe e përzemërt për udhëheqësin e këtij projekti madhor dhe më meritorin që Shkëndija preki këto nivele, z. Lazim Destani.

Ndoshta kemi mundur dhe është dashur më shumë, por unë në çdo moment dhash gjithçka nga vetja. Uroj tjerët që do të na pasojnë të tejkalojnë arritjet tona, ndërsa Shkëndijës i uroj shumë suksese tjera për gëzim të tifozerisë më të zjartë.

Respekt dhe gjitha të mirat në të ardhmen!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat